E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen për politikën, i nxjerr syrin

SHERRI/ Besim Balla është vënë në pranga pasi goditi me kaçavidë dy vëllezërit Besnik e Agron Balla

Dy vëllezërit ndodhen në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore, të dy me brinjë të thyera

LIBRAZHD - Një konflikt banal për motive politike ka bërë që dy vëllezër të përfundojnë në spital dy vëllezër, njëri me brinjë të thyera, ndërsa tjetri me një sy të nxjerrë. Ngjarja e ndodhur dje në fshatin Babje të komunës Qendër në Librazhd, ka vënë në pranga shtetasin Besnik Balla, ndërsa vëllezërit Agron e Kujtim Balla, përkatësisht 32 dhe 34 vjeç, ndodhen në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore.


Rrëfimi


34-vjeçari Kujtim Balla, i cili ndodhet në gjendje të rëndë, shprehet për gazetën "Shekulli":

Po lëviznim me makinën tonë kur na doli përpara Besimi dhe na bllokoi rrugën. Në ato momente po kalonim para shtëpisë së tij dhe ishim nisur për në banesën tonë. Kur e pashë mendova se ishte sëmurë dhe thashë se ndoshta donte ta çonim në spital. Kështu që zbrita nga makina.

Por në të njëjtin moment ai më qëlloi në brinjë shumë shpejt. Kur zbriti vëllai e qëlloi edhe atë shumë rëndë. Ishim me makinën tonë. Futa edhe vëllanë brenda makinës dhe u nisa drejt spitalit të Librazhdit. Isha rëndë.

Di që kam udhëtuar për rreth një orë. Pasi mbërrita në spital në gjendje të rëndë, mbaj mend vetëm momentin që kam arritur tek dera, më pas jam përmendur në reanimacion".


Mjekët


Lidhur me gjendjen e dy vëllezërve, mjeku Liman Mënalla shprehet se pas ekzaminimeve rezulton se Kujtim Balla ka tri brinjë të shkatërruara, ndërsa i vëllai Agroni ka brinjë të thyera dhe syrin e djathtë të nxjerrë jashtë përdorimit. 32-vjeçari ndërkohë po kurohet nga mjeku okulist.


Policia


Blutë e Librazhdit, menjëherë pasi kanë mësuar për ngjarjen kanë arritur të arrestojnë në flagrancë Besim Ballën. Bëhet e ditur se ai është gjetur i fshehur në kasollen e tij të barit. Për të mbërritur në vendngjarje, policisë i është dashur që të udhëtojë përgjatë natës. Sipas burimeve nga uniformat blu, mësohet se Besim Balla është një person me precedentë penalë.

Ai ka qenë i dënuar më parë me një vit burg për falsifikim dokumentesh. Tashmë ndaj Besimit është ngritur akuza e "plagosjes së rëndë me dashje", ndërsa dje pasdite është transferuar në paraburgimin e Elbasanit. Megjithëse vijojnë hetimet, paraprakisht bëhet e ditur se shkak për plagosjen e dy vëllezërve ka qenë një konflikt banal me motive politike.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›