Emigrantët karta në ambasada
Etleva Delia
Emigrantët jashtë Shqipërisë për pak kohë mund të aplikojnë për karta identiteti në ambasadat e vendit tonë në shtetet respektive pa qenë e nevojshme të vijnë në Shqipëri për pajisje me letërnjoftime elektronike. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e konfirmoi dje këtë fakt, pasi inspektoi Qendrën e Personalizimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike në Tiranë. Ministri Basha tha se sipas udhëzimeve të kryeministrit Berisha, Ministria e Brendshme po punon për konsolidimin e procesit të prodhimit, shpërndarjes dhe pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Sipas ministrit, po punohet edhe për shtrirjen e sistemit në përfaqësitë tona diplomatike në vendet ku emigracioni shqiptar është i madh, për t'i shkuar në ndihmë edhe qytetarëve shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Basha u prit në zyrat e kompanisë prodhuese nga kryetari i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Michael Granof dhe menaxheri i Përgjithshëm i kompanisë koncesionare "Aleat", Jean Allain Jouan. Përfaqësuesit e "Aleat" informuan ministrin Lulzim Basha mbi ecurinë e deritanishme të procesit dhe treguesit kryesorë të aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike.
RITMET E APLIKIMIT
Ministri i Brendshëm, i cili mori detyrën në shtator të këtij viti, është njohur dje nga afër me sistemin e prodhimit të kartave të identitetit. Sipas burimeve zyrtare, ministri Basha u njoh në Qendrën e Personalizimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike edhe me statistikat e deritanishme të aplikimit dhe të pajisjes me këto dokumente identifikimi. Kreu i dikasterit të Brendshëm ka vlerësuar faktin se brenda një periudhe të shkurtër nga fillimi i procesit, numërohen rreth 220 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 208 mijë prej të cilave janë prodhuar. Basha u shpreh se shpejtësia e këtij procesi është më e larta ndër të gjitha vendet e tjera të rajonit. Ai pasi u informua për ecurinë e këtij procesi nga kryetari i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Michael Granof dhe menaxheri i Përgjithshëm i kompanisë koncesionare "Aleat", Jean Allain Jouan, u shpreh i bindur se shumë shpejt Shqipëria do të ketë numrin më të madh të pasaportave biometrike për frymë të lëshuara në rajon. Me këtë ritëm Shqipëria, sipas Bashës, mund të tejkalojë edhe Maqedoninë, e cila deri tani është e para në këtë proces. Ndër të tjera, ministri foli gjithashtu edhe për udhëzimin më të fundit të kryeministrit Berisha, që flet për një projekt të ri të pajisjes së emigrantëve shqiptarë me karta identiteti, pa qenë e nevojshme që ata të kthehen në Shqipëri për të aplikuar dhe për t'i tërhequr. Por ata mund t'i marrin dokumentet e identifikimit nëpër ambasadat përkatëse.
Vizat, në 3-mujorin e parë të vitit 2010
TIRANE - Brenda 3-mujorit të parë të vitit 2010 Shqipëria do të mund t'i plotësojë të gjitha kushtet për lëvizjen e lirë dhe pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Ky ka qenë konstatimi i ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë inspektimit të Qendrës së Personalizimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. "Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se me këtë ritëm, ndoshta deri në tremujorin e parë të vitit tjetër, Shqipëria do të ketë numrin më të madh të pasaportave biometrike për frymë të lëshuara në rajon, duke tejkaluar edhe Maqedoninë, që deri më tani është e para në këtë proces. Kjo është një dëshmi e qartë e suksesit të qeverisë shqiptare për të realizuar këtë kusht themelor për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në të gjithë vendet e Europës", tha ministri Basha.