Vlorë, vetëvritet polici i Portit
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Një punonjës i policisë së portit të Vlorës i dha fund jetës dje në mëngjes, me armën e shërbimit, sapo u kthye në banesë nga turni i tretë. Bujar Bufasi, 46 vjeç, baba i dy fëmijëve u gjet në momentet e fundit të jetës nga e shoqja. Tragjedia në familjen Bufasi do të kishte precipituar më tej nëse komshinjtë nuk do të kishin ndaluar gruan t'i jepte fund jetës në momentin që gjeti bashkëshortin e saj të mbuluar me gjak. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në banesën e viktimës, në kabinat e plazhit të vjetër, në lagjen "1 Maji" të Vlorës. Bujar Bufasi, me shërbim në pikën e kalimit kufitar të Vlorës, është kthyer herët në mëngjes nga turni i tretë i shërbimit dhe pasi ka qëndruar pak momente me gruan e tij i ka kërkuar kësaj të fundit të shkojë tek komshija që të pinte një kafe. Ai i ka pohuar asaj se sapo të pinte një cigare, do të vinte edhe ai pas saj. Sapo bashkëshortja e tij është larguar në banesën e fqinjëve, e cila ishte vetëm pak metra larg, 47-vjeçari ka hequr uniformën e policisë dhe pasi mbushi pistoletën kreu aktin e vetëvrasjes. Sipas policisë, ai e ka qëlluar veten me një plumb, i cili i ka përshkruar pjesën nga goja në pjesën e pasme të kokës. Bashkëshortja dhe komshinjtë sapo kanë dëgjuar krismën kanë nxituar për në banesë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ata u tmerruan kur gjetën trupin e 47-vjeçarit të shtrirë në krevat e të mbuluar me gjak. Gruaja e tij është munduar t'i japë ndihmë, por ka qenë e pamundur.
"Trupi i tij ishte i shtrirë në krevat. Kur ne u futëm në dhomë, ai nuk kishte dhënë shpirt ende. I gjithë trupi i dridhej. Edhe pse nuk reagonte më, ai, nuk e lëshonte pistoletën nga dora, por gruaja e tij arriti t'ia heqë, ndonëse e mbante të shtrënguar. Për pak desh ndodhi tragjedia e dytë, pasi bashkëshortja e tij nga tronditja dhe dhimbja u bë gati të qëllonte dhe ajo veten me pistoletë. Por ne mundëm t'ia hiqnim nga dora dhe ta nxirrnim jashtë nga banesa për ta qetësuar", u shpreh njëra nga komshiut e viktimës. Sipas policisë, Bufasi ka përdorur armën e shërbimit për aktin vetëvrasës, por ende nuk dihen shkaqet që e çuan atë drejt vetëflijimit. Paraprakisht, grupi hetimor dyshon se shkaku i vetëvrasjes të ketë qenë depresioni i shkaktuar nga ekonomia e dobët. Ai jetonte prej vitesh në një dhomë e aneks në kabinat e plazhit. Ndërkohë, viktima vuante edhe nga disa sëmundje, si probleme me mëlçinë, stomakun dhe tëmthin. Ai ishte shtruar disa herë në spital për këto probleme shëndetësore, madje për shkak të depresionit kishte raste që konsumonte edhe alkool. Ai ishte babai i dy djemve, njëri i martuar dhe me banim përkohësisht në Greqi si dhe një tjetër 22 vjeç. Mësohet se prej 20 vitesh kishte punuar në radhët e policisë, në sektorë të ndryshëm e së fundi në policinë e Portit.