Grabiten në fshatin kufitar 11 klandestinë
SARANDE - Grabitja e klandestinëve po kthehet në fenomen për keqbërësit që veprojnë në aksin përherë problematik për trafiqe e grabitje, pikërisht Butrint-Konispol. Një grup prej 11 vetësh ra pre e 3 grabitësve të armatosur, të cilët i rrëmbyen në mes të ditësh të gjitha paratë e sendet me vlerë që kishin me vete. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së mërkurës, në aksin rrugor Xarrë-Shkallë-Qafë Botë. Grupi i klandestinëve, kryesisht nga zonat e Shqipërisë së Mesme, po ecnin duke iu ruajtur forcave të policisë, me qëllim arritjen në kufirin grek. Në afërsi të Xarrës, tre persona të armatosur me një automatik model 56, u kanë dalë para papritur, duke u kërkuar t'u dorëzonin të gjitha paratë që kishin me vete. Klandestinët, në mosha të ndryshme, hezituan të jepnin lekët se do t'u duheshin për të paguar për rrugën që kishin marrë. Atëherë me kërcënim e nëpërmjet dhunës, autorët kanë mundur t'u marrin paratë e objekte të tjera me vlerë. Sipas burimeve shuma e parave që ata kanë grabitur ka qenë rreth 3 mijë euro, si dhe një shumë e konsiderueshme lekësh. Grabitësit janë larguar menjëherë pas marrjes së parave, ndërsa klandestinët janë detyruar të kthehen pas. Ata mbërritën në komisariat, për të denoncuar veprimin e kryer ndaj tyre. Menjëherë është nisur grupi hetimor në vendngjarje dhe sipas përshkrimit të vetë klandestinëve është bërë e mundur brenda dy orësh arrestimi i njërit prej grabitësve. Burime policore të Sarandës bëjnë të ditur se është arrestuar Armando Shabani, 23 vjeç, banor i fshatit Vrinë. Ai rezulton i arrestuar dhe një herë para dy vitesh për vjedhje banese në bashkëpunim, në qytetin e Sarandës. Nga ana e policisë po punohet intensivisht për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes me qëllim kapjen edhe të dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Nuk dihet nëse ngjarja e djeshme ka lidhje edhe me ngjarjen e ndodhur rreth dy muaj më parë, në piramidën kufitare 31 në Konispol, ku dy persona me maska e të armatosur, grabitën tre shtetas. Kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur edhe pse për të u angazhuan forca policore shtesë nga Vlora. Një 23-vjeçar nga Fieri, pjesë e grupit të klandestinëve tregoi se kishin arritur deri në Butrint me autobus, për të vazhduar rrugën drejt Xarrës. "U ruajtëm nga policët, por na grabitën harbutët", shprehet ai. sh.d
Trafik drejt Italisë, 4 në pranga
SHKODER - Ndihmonin klandestinët për të kaluar nga kufiri verior drejt Italisë, kapen 4 persona. Sipas policisë së Shkodrës, mbrëmjen e së mërkurës u arrestuan 2 persona nga Kavaja, e dy nga Velipoja, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndihmuan për të kaluar kufirin katër persona. Mësohet se organizatorët përfitonin nga 3,500-3,800 euro për person, për të arritur në shtetin italian. Burime të policisë pohuan se ndalimi i grupit është bërë fillimisht nga pala malazeze e pas hetimeve është arritur në emrat e personave që kryenin trafikun. Sipas saj, në pranga ranë: Fatmir Lushaj, 39 vjeç, Kreshnik Bagosi, 22 vjeç, Paskualin P., 16 vjeç si dhe 21-vjeçari Mirjan Rrasa. Fillimisht ka qenë policia malazeze ajo që ka bërë ndalimin e personave të mitur që kanë kaluar kufirin. Kanë qenë katër të mitur që janë ndaluar nga policia malazeze, pasi u është kërkuar të paraqesin pasaportat. Pas bashkëpunimit me Drejtorinë e Policisë së Shkodrës personat janë sjellë në tokën shqiptare, duke plotësuar dokumentacionet përkatëse. Ndaj tyre rëndon akuza e "kalimit të paligjshëm të kufirit", të cilët po ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Ndërsa për grupin organizator të këtij rrjeti trafiku është bërë arrestimi me akuzën e "dhënies ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit". r.d