Kapet në Francë "i forti" i Shkodrës, Bledar Cafi
FRANCE- Oficerët e Interpolit kanë arrestuar mesditën e djeshme në Lion të Francës, 30-vjeçarin Bledar Cafi, i njohur si i forti i Shkodrës. Cafi akuzohet për disa vepra penale, si vrasje, përdorim armësh dhe eksplozivi në mënyrë të paligjshme, si dhe krime të tjera që ende nuk janë dokumentuar. Burime nga Policia e Shtetit thanë se janë njoftuar për arrestimin e tij në Francë nga policia vendase. Gjithashtu mësohet se Bledar Cafi, edhe pse nga policia e Shkodrës njihej si një person mjaft problematik, nuk kishin pasur asnjëherë prova për arrestimin e tij. Madje edhe për një vrasje që ai u dyshua si autor, në bashkëpunim me dy kushërinjtë e tij, Gani Cafi e Asllan Cafi, nuk u provua dot fajësia e tij, duke u dënuar me të padrejtë me 14 vjet burg një i pafajshëm, djali i viktimës. Gjykata e Shkodrës, me vendimin e datës 27 maj 2002, deklaroi fajtor dhe dënoi padrejtësisht Fatos Mustafajn, djalin e viktimës Shyqyri Mustafaj, në një kohë që autorë të vërtetë të ngjarjes ishin kushërinjtë Cafi. Fatos Mustafaj bëri 6 vjet burg padrejtësisht, derisa Prokuroria e Përgjithshme bëri kërkesë në Gjykatën e Lartë për rishikim të vendimit të dhënë, pasi ishin mbledhur prova të reja që fajësonin kushërinjtë Cafi për vrasjen e Shyqyri Mustafajt. Vrasja, sipas vendimit të datës 9 korrik të vitit 2008 të Gjykatës së Lartë, që kërkoi prishjen e vendimit dhe rigjykim të çështjes, erdhi pasi sipas një prej dëshmive, Asllan Cafi, e vrau Shyqyri Mustafajn për arsye se Shyqyriu e çoi vajzën e tij në Tiranë dhe e martoi, pasi deri në atë kohë Asllani e kishte të dashur. e.d