E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të riut para se të kryente vrasjen

 

Tiranë - Policia e kryeqytetit ndaloi dje një 18-vjeçar me armë në spitalin "Nënë Tereza" në Tiranë, para se ai të nisej drejt Beratit, ku dyshohet se do të kryente vrasjen e një personi. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së Tiranës, të cilat thanë se efektivat e komisariatit nr.4 në kryeqytet, arrestuan të riun Emiljano Hajdari, në spitalin "Nënë Tereza", i cili mbante me vete një armë pa leje. Arrestimi është bërë pasi një kushëri i tij kishte depozituar në polici kallëzim penal për humbjen e armës tip pistoletë. Policia ka pasur dyshime se arma ishte marrë nga 18-vjeçari dhe ka vendosur ta ndalojë atë. Në momentin e ndalimit, adoleshentit iu gjet arma të cilën e mbante me vete. Sipas hetuesve, 18-vjeçari është marrë në pyetje menjëherë pas arrestimit duke dhënë sqarime, sipas të cilave ai ishte në konflikt me një person banues në Berat. I arrestuari ka shpjeguar më tej se armën e kishte marrë me qëllim për t'u nisur në drejtim të Beratit, ku kishte planifikuar të kryente vrasjen e personit me të cilin ishte në konflikt pronësie. Emri i personit në fjalë nuk bëhet publik nga burimet e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›