Historia konsensuale
Ermal Hasimja
Problemi i enciklopedisë maqedonase dhe ai i teksteve të historisë shkollore në Shqipëri kanë diçka të përbashkët në thelb: natyrën e tyre thellësisht politike dhe aspak “shkencore”. Në të dy rastet, partitë politike, madje edhe qeveritë përkatëse u përfshinë në debat dhe ishin protagonistë edhe të zgjidhjes. Ndërkohë edhe historianët e përfshirë në debat ishin përgjithësisht të vështirë për t’u dalluar prej politikanëve. Në të dy rastet, Maqedoni e Shqipëri, produkti nuk mund të jetë shkencor, por politik. Në njëfarë mënyre, shumë pranë stereotipit klasik ballkanik, historia është kthyer në mjet mobilizimi politik, qoftë për strategjitë e marketingut nacionalist, qoftë për marketingun e brendshëm të partive.
Kjo lloj hapjeje e historiografisë ndaj ndikimit politik nuk është e re dhe ka arsye të thella. Kjo nuk vjen thjesht për shkak të pamundësisë së historiografisë për të plotësuar kriteret e të qenit shkencë. Natyrisht historiani fut subjektivitetin e tij në përzgjedhjen e fakteve sipas rëndësisë, e ka të pamundur ta shkruajë historinë përveçse përmes gjuhës së sotme që është e parapërcaktuar politikisht, e ka të pamundur ta bëjë të kuptueshme për lexuesin përveçse përmes koncepteve e pikëpamjeve aktuale, është i detyruar të krijojë një racionalitet e shkakësi artificiale të deduktuar prej atij vetë mbi lidhjen e fakteve, etj., etj. Por problemi është më i thellë. Jo vetëm që historiografia ndikohet nga politika institucionale për interesa banale, por në fakt vetë akti i të shkruarit të historisë është akt politik, sepse ndërtohet mbi një lloj konsensusi të shoqërisë mbi mënyrën e interpretimit të së shkuarës. Ky interpretim nuk mund të përputhet asnjëherë me të “vërtetën historike” për arsyen e thjeshtë, sepse kjo nuk ekziston. “E vërteta historike” ndërtohet, nuk ekziston paraprakisht, pavarësisht revoltimit që mund të shkaktojë ky pohim tek historianët e sidomos politikanët. Heronjtë kombëtarë të një vendi mund të jenë armiqtë më të mëdhenj të kombit fqinj, përkatësia etnike e personazheve historikë mund të përcaktohet sipas nevojës nisur nga e ëma apo i ati, e kështu me radhë. Historiografia shqiptare nuk është më pak ksenofobe ndaj fqinjëve, sesa është ajo e fqinjëve ndaj nesh. Revolta e një etnie ndaj asaj që shkruan etnia tjetër për të në enciklopedinë zyrtare, apo e mbështetësve të një partie kur lexojnë historinë e ndikuar nga historianë të partisë tjetër, është një revoltë relativisht e pazgjidhshme. Është shumë domethënëse që këto konflikte zgjidhen vetëm përmes konsensusit: p.sh., tekste shkollore të historisë së Francës dhe Gjermanisë shkruhen nga komisione të përbashkëta. Një propozim i tillë ka ekzistuar edhe për tekstet greke e shqiptare. Qëllimi është fisnik: të shmanget ksenofobia, sporti kombëtar i preferuar në botë. Por ky qëllim (ashtu si dhe rrjedhojat e tij), është politik dhe jo shkencor. Shkenca nuk mund të ndërtohet mbi kompromisin apo konsensusin. Përkundrazi, ajo është ndërtuar gjithmonë mbi sfidën e asaj që shoqëria e ka konsideruar të “vërtetë”. Kjo është e vërtetë për historinë, por mund ta çojmë deri te shkencat e natyrës që konsiderohen si më objektive se shkencat humane. Nëse shkenca do të ndërtohej mbi konsensus (si ai që po synohet tashmë për historinë), atëherë sot e kësaj dite ne do të besonim se Toka është e sheshtë dhe Dielli bashkë me gjithë universin rrotullohet rreth saj.
Atëherë cila është zgjidhja? Elementi i parë i zgjidhjes është teknik: politika duhet të rrijë sa më larg historisë, qeveria duhet të përzihet sa më pak në punën e institucioneve përkatëse dhe mundësisht edhe në financimin e tyre, financimi publik duhet të përfshijë institucione të pakontrolluara nga qeveria (p.sh. qendra kërkimore, studiues të pavarur, universitete private etj.). Natyrisht kjo ka rrezikun që vetë institucione të tilla të funksionojnë në mënyrë politike, në kuptimin e gjerë të fjalës. P.sh. kemi paradokse të tilla kur është pikërisht politika që hedh poshtë produkte politike të historianëve si në dy rastet në fjalë kur qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase ndërhynë për të hequr nga qarkullimi tekstin shkollor dhe enciklopedinë. Megjithatë vështirë të thuhet se ndërhyrja e politikës mund të ndikojë pozitivisht në pikëpamje afatgjatë. Përkundrazi, pikërisht ndërhyrja e tyre dëshmon dhe legjitimon plotfuqinë e politikës mbi institucionet shkencore. Paradoksalisht kemi kryeministra e presidentë që marrin vendime sesi duhet të shkruhet historia.
Elementi i dytë është shumë i rëndësishëm, por përgjithësisht më pak i pëlqyer, sepse nuk ofron zgjidhje afatshkurtër, siç duan mediat apo njerëzit e thjeshtë. Në pamundësi të konstatimit të “së vërtetës” historike, i vetmi ilaç lehtësues është pluralizmi i saj. Së pari, duhet inkurajuar liria akademike për të tejkaluar konsensusin socio-politik mbi perceptimin tonë për të shkuarën. Shteti, mediat, shoqëria civile dhe institucionet arsimore duhet të inkurajojnë sfidimin e pikëpamjeve sunduese mbi historinë. Së dyti, brezat e rinj të nxënësve dhe studentëve duhen çliruar nga robëria e një pikëpamjeje zyrtare konsensuale mbi historinë. Shumë më tepër sesa të “mësojnë” historinë është e rëndësishme që të dyshojnë mbi historinë. Çdo tekst pedagogjik mbi historinë duhet të fillojë me sqarimin themelor se historia dhe enciklopeditë nuk paraqesin të vërtetën, por një (mundësisht disa) pikëpamje gjerësisht të pranuara, pra konsensuale dhe jo “objektive”, mbi të shkuarën. Natyrisht, ashtu siç ky shkrim mund të ngjallë kundërshti tek disa historianë të formimit klasik, ashtu edhe ky qëndrim arsimor do të ngjallë rezistencë dhe madje edhe revoltë, qoftë tek ata që e prodhojnë dhe legjitimojnë historiografinë si konstatim i së vërtetës absolute, qoftë tek ata që janë viktimat e suksesshme të kësaj. Mirëpo, kjo është një nevojë e pashmangshme që nuk mund të mbulohet e as të pengohet me qëndrime emocionale, nacionaliste e përgjithësisht politike.