Emigrantët, kontribuuesit kryesorë të skemës së pensioneve në vend
Ervin KOÇI
Emigrantët shqiptarë jashtë vendit, janë aktualisht kontribuuesit kryesorë të skemës së sigurimeve shoqërore në vend. Të ardhurat e rregullta që prej vitesh kanë nisur të depozitohen në formën e kontributeve shoqërore në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përbëjnë dhe shumën më të konsiderueshme që qeveria përdor për ta shpërndarë mandej në formën e pensioneve për pensionistët shqiptarë. Në një kohë që skema vullnetare e pagesës së sigurimeve në vend është shumë e ulët, ajo e pagesave nga emigrantët ka shënuar rritje çdo vit. Po kaq i madh është edhe interesi i emigrantëve për tu informuar mbi të drejtat dhe detyrimet që ata duhet të kenë për të përfituar pension në vendin e tyre. Kjo lidhet sidomos me atë kategori e cila edhe pse aktualisht jeton dhe punon prej vitesh në vendet e huaja, përsëri mendojnë që të kthehen për të kaluar pleqërinë në vendlindje. Akoma dhe më të interesuar paraqiten ata emigrantë të cilët pasi kanë mbushur një kohë të caktuar në vendit ku punojnë e jetojnë, kanë kryer edhe bashkimin familjar me prindërit dhe të afërmit e tyre. Për këtë grup ISSH-ja parashikon të krijojë më shumë lehtësira, me qëllim bërjen të mundur të derdhjes së kontributeve dhe dhënies së informacioneve udhëzuese.
Informimi
Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe një përfaqësi e patronatit ACLI, ngritur në vitin 1945 me 72 degë në të gjithë botën, kanë nënshkruar një marrëveshje me disa pika për të ndihmuar emigrantët shqiptarë me informacion, asistencë, si dhe projekte ndihmuese lidhur me pensionet dhe derdhjen e kontributeve. Konkretisht, sipas kësaj marrëveshjeje, do të krijohet mundësia e informimit për të gjithë emigrantët shqiptarë, kryesisht në Greqi dhe Itali ku ndodhet edhe pjesa më e madhe e bashkëkombësve. Nga ana tjetër degët e ACLI në Tiranë dhe Shkodër, japin asistencë për të gjithë emigrantët e kthyer në Shqipëri, lidhur me dokumentacionin e humbur, me të drejtat për të përfituar pension për ata që kanë punuar për disa vite jashtë vendit, si dhe ndihmë për sa i takon dhënies së informacioneve më të fundit për sigurimet, kontributet, vjetërsinë dhe përfitimet në formën e pensionit.
Procedurat
Për të siguruar pensionin edhe në Shqipëri emigrantët mund të autorizojnë të afërmit për të lidhur marrëveshje me strukturat e ISSH-së në rrethin ku kanë banuar dhe ku është arkivuar dhe vjetërsia në punë e tij për të vazhduar sigurimin vullnetar të pensionit. Për ata emigrantë që disponojnë librezat e punës, do të ishte më e lehtë konfirmimi i viteve të punës, pasi do të shërbente si bazë për sigurimin e viteve të tjera të munguara. Për ata emigrantë që nuk disponojnë librezat e punës, në formularë të veçantë mund të shënohen periudhat e punuara dhe të siguruara në Shqipëri dhe të llogariten vitet e munguara. Për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në Itali ISSH-ja ka lidhur marrëveshje me organizata jofitimprurëse, të cilat mundësojnë dhënien e informacionit të të interesuarve për sigurimin vullnetar. Konkretisht, marrëveshjet janë ligjëruar me disa organizata si INAS–CISL, ACAI, ENAS–UGL, që kanë marrë përsipër ta ofrojnë këtë shërbim falas, në mënyrë që emigrantët të rrisin mundësinë për sigurimin shoqëror. Nga ana tjetër, ISSH-ja ka hartuar dy formularë, ku njëri është për sqarime për problemet që kanë emigrantët, ndërsa formulari i dytë për konfirmimin e periudhave kontribuuese. Për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe pensionistët përgjigjja kthehet po në formë elektronike, brenda dy ditëve nga marrja e kërkesës. Për sa i përket vjetërsisë në subjektet urbane, ku ende nuk ka përfunduar informatizimi i sistemit, megjithëse afati ligjor për verifikimin dhe konfirmimin në arkiva është për 5 muaj, përgjigjet e dhëna nga ISSH-ja kanë qenë jo më shumë se 15 ditë nga dita e ardhjes së kërkesave. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri për emigrantët është e domosdoshme që së pari të evidentojnë dhe të regjistrojnë vjetërsinë kontribuuese që kanë në Shqipëri. Së dyti, nisur nga vjetërsia që kanë, ata duhet të angazhohen që nëpërmjet sigurimit vullnetar të kompletojnë të paktën 15 vjet për të përfituar pension të pjesshëm ose 35 vjet për të përfituar pension të plotë. Ndërsa për emigrantët shqiptarë në Greqi, ku mungojnë këto organizma, përfaqësive shqiptare diplomatike u është siguruar informacion i plotë për sigurimin e emigrantëve, duke i pajisur me manuale për të gjitha kategoritë e emigrantëve.
7 Dhjetor 2009