E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e taksave, bizneset kundërshtojnë vendimet e qeverisë



Ervin KOÇI

Shoqatat e biznesit në vend janë bashkuar në një qëndrim të vetëm për moslejimin e shtimit të taksave për vitin e ardhshëm. Bëhet fjalë për shtimin e disa taksave në disa sektorë kyç të ekonomisë, prej të cilëve qeveria pretendon të marrë më tepër të ardhura në vitin 2010. Debatet për këtë çështje i ka nisur mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit Konsultativ të Biznesit (KKB), e zhvilluar në Ministrinë e Ekonomisë. Në këtë mbledhje të mbajtur dy ditë më parë, u prezantuan katër projektligje të reja, mes tyre dhe ulja e pragut të TVSH-së për subjektet e vogla private. Pas një ndërprerje të gjatë, Ministria e Ekonomisë ka thirrur bizneset anëtare të Këshillit Konsultativ, për të diskutuar rreth përmbajtjes së projektligjeve, të cilat synojnë rritje të madhe taksash, gjoba të larta, ndryshime rrënjësore në deklarimin e të ardhurave, etj. Por nga sa mësohet, këto propozime janë shoqëruar me kundërshtime dhe debate të ashpra nga ana e bizneseve anëtare të Këshillit dhe zëvedësministrit të Ekonomisë, Eno Bozdo, në cilësinë e kryetarit. I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, të cilit iu desh të sqaronte përmbajtjen e katër projektligjeve "Për TVSH-në", "Për lojërat e fatit", "Për akcizat" dhe "Për tatimin mbi të ardhurat".

Debatet

Burime nga Ministria e Ekonomisë thanë për gazetën se, përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Genc Boga, u ankua që në fillim në lidhje me projektligjet duke kërkuar më tepër transparencë në lidhje me hartimin dhe përmbajtjen e tyre. Debati kryesor kishte të bënte me uljen e pragut të TVSH-së, ku përfaqësues nga Konfindustria kërkuan përfshirjen e të gjitha bizneseve në skemë. Por, sipas zëvendësministrit Rushaj, futja e të gjitha kategorive me TVSH, duke hequr kufirin, do ta bënte më të vështirë kontrollin ndaj subjekteve. Debate pati edhe për ligjin e ri të kazinove, i cili parashikon tarifa fikse mujore, pa bërë diferencime sa i takon vendndodhjes së subjektit. Ministria e Financave e ka të vështirë të llogarisë efektin që sjell në të ardhura zgjerimi i skemës së TVSH-së. Megjithatë, një tjetër problem për ministrinë është mungesa e kapaciteteve për t‘i kontrolluar të gjitha bizneset, në rast se nuk do të ketë kufi ndarës.

Pragu i TVSH-së

Sipas projektligjit të ri, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2010, klasifikohen biznes me TVSH subjektet me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, nga 8 milionë që është aktualisht. Përfaqësuesit e Konfindustrias në Këshillin Konsultativ, paraqitën propozimin për ndryshimin e projektligjit, që synon zgjerimin e skemës (përjashto ambulantët), si forma e duhur për të rritur konkurrencën dhe luftuar evazionin fiskal. Në debat u përfshinë edhe anëtarë të tjerë, që përfaqësonin biznesin e madh prodhues. Propozimet e biznesit janë mbajtur shënim nga zëvendësministri i Financave, në mënyrë që të analizohen në qeveri kur të miratohet projektligji. Debati arriti deri me thirrjen e sekretarëve për të verifikuar postën elektronike nëse dërgimi i projektligjeve kishte mbërritur në adresën e duhur.

Zonat naftëmbajtëse, jepet me koncesion blloku “F” në Fier

Kompania "Bankers Petroleum" njoftoi se ka arritur të marrë miratimin për fillimin e punës së kërkimit dhe zhvillimit të bllokut gjeologjik F (pranë Fierit) nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. AKBN nuk ka bërë njoftim zyrtar në lidhje me këtë vendim. "Aplikimi për eksplorim është pranuar nga agjencia dhe bisedimet për Marrëveshjen e Ndarjes së Prodhimit do të fillojnë menjëherë me qëllimin që në janar të dorëzojmë aplikimin për miratim final nga Qeveria e Shqipërisë", njoftoi kompania. Blloku F ndodhet në vijimësinë perëndimore të zonës së Patos-Marinzës, (burimi më i rëndësishëm i naftës në Shqipëri) dhe ka një sipërfaqe prej 740 kilometrash. Të përjashtuara nga zona e koncesionit gjenden tri zona naftëmbajtëse që aktualisht shfrytëzohen nga "Albpetrol". Sipas "Bankers", studimet paraprake kanë nxjerrë boshllëqe sizmike që ka mundësi të mbajnë naftë ose gaz natyror. Pjesa më e madhe e zonave naftëmbajtëse të Shqipërisë janë dhënë sakaq me koncesion për t‘u shfrytëzuar nga kompani të huaja. Kompania shtetërore "Albpetrol" ka hequr dorë gradualisht nga një pjesë e konsiderueshme e puseve të veta, të cilat u janë transferuar privatëve për rizhvillim dhe rehabilitim. Vitin e kaluar, prodhimi i naftës në Shqipëri arriti në 580 mijë tonë, nga të cilat vetëm 215 mijë tonë i përkisnin shtetërores "Albpetrol".

Emërimi, Sahit Dollapi caktohet drejtori i ri i ujësjellësit të Tiranës

Sahit Dollapi që prej ditës së djeshme është në postin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Ujësjellësit të Tiranës. Dollapi është prezantuar në këtë detyrë të re pas funksionit që ai la si drejtori i OSSH-së pak kohë më parë, post të cilin e mbajti disa vjet dhe e u largua vetëm pas privatizimit të Operatorit nga kompania çeke “CEZ”.

Forcimi i dollarit ul çmimin e arit me 65 dollarë/onz

Të dhënat pozitive mbi ekonominë e Shteteve të Bashkuara por dhe atë globale kanë çuar edhe në forcimin e dollarit amerikan, i cili ka shënuar një rritje në kursin e këmbimit. Vlerësimi i menjëhershëm i monedhës së gjelbër ka sjellë edhe uljen e çmimit të arit, i cili shënoi një rënie me mbi 65 dollarë apo 5 %, duke u kuotuar në 1.161 USD/onz.

7 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›