Emigrantët, më pak para drejt shtëpive
Paratë që emigrantët dërgojnë drejt vendit të tyre nga shtetet ku punojnë e jetojnë, vazhdojnë të mbeten një faktor kyç për zhvillimin e ekonomisë. Duke qenë se në çdo vit emigrantët shqiptarë sjellin si remitanca rreth 1 miliard euro në Shqipëri, efektet ndihen si në buxhetet familjare, ashtu dhe në ekonominë vendase. Por efektet e krizës globale pritet të kenë pasoja negative mbi këto të ardhura të domosdoshme për shumë familje shqiptare. Kjo është paralajmëruar prej kohësh nga Guvernatori Fullani, i cili në deklarimet e tij lidhur me efektet e krizës ka pranuar se remitancat do të pësojnë rënie. Kjo vjen si rrjedhojë e ndikimit që do të kenë emigrantët tek të ardhurat e tyre, pasi shumica e tyre jetojnë në vendet perëndimore, ku kriza globale ndihet më tepër. Por kjo rënie pritet të ndihet gjatë këtij viti, pasi dërgesat e vitit 2008 nuk kanë pësuar rënie. Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, mbi “Stabilitetin financiar”, rezulton se të ardhurat nga emigracioni gjatë 11-mujorit të vitit 2008 u vlerësuan në rreth 947 milionë euro, ose 1.1 % më shumë se një viti më parë. Por ky sektor, vlerësojnë ekspertët e bankave, mbetet i ekspozuar ndaj "goditjeve" të ambientit ekonomik botëror, çka pritet të reflektojë rënie të remitancave (paratë nga emigracioni) dhe shtrëngim të kushteve të financimit. Banka e Shqipërisë bën të ditur se ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohej në një rritje ekonomike më të ngadaltë gjatë vitit 2009. Sipas BSH-së, një rritje më e ulët ekonomike nuk përkthehet domosdoshmërish në krizë për Shqipërinë, por është një zhvillim i përkohshëm i diktuar nga faktorë të jashtëm. Duke iu referuar një vrojtimi për tremujorin e tretë të vitit 2008 të Bankës së Shqipërisë, rezulton se rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Sipas BSH-së, shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e tyre jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Ndërkohë ekspertët bankarë vërejnë se dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj.