E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Apelit: Ministri Basha, jo i pandehur



Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, nuk është i pandehur. Gjykata e Apelit vendos të shpallë të pavlefshme dy aktet e fletë-thirrjes dhe njoftimit të akuzës për ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Madje, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, në të njëjtën kohë, kjo gjykatë shpalli të pavlefshëm edhe dërgimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë. Ministri Basha, pas këtij vendimi, nuk është më i pandehur për dosjen “Durrës-Kukës”, madje hetimet e zhvilluara pas vendimit për ndërprerjen e hetimeve, janë cilësuar të paligjshme. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari Pajtim Hoxha, i cili e ka shpallur vendimin pas apelimit të vendimit të gjyqtares Hajdari nga Prokuroria e Përgjithshme. Pretendimi se akti i njoftimit kishte shkelje ligjore u mor parasysh nga ana e Gjykatës së Apelit. Mbrojtja e Bashës pretendoi për parregullsi në procedurën e thirrjes së klientit të tij si të pandehur në prokurori. Për këtë u paraqit një padi kundër Prokurorisë në Gjykatën e Tiranës, e cila pasi shqyrtoi kërkesën, vendosi t’i shpallë të pavlefshme. Basha paditi prokurorinë për “veprime flagrante të prokurorisë në kundërshtim me ligjin që përmbajnë aktet procedurale të njoftimit, bazuar në nenin 130 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale”. Gjatë shpalljes së vendimit dy muaj më parë, vendim i cili u la dje në fuqi nga kolegu i saj, Pajtim Hoxha, gjyqtarja Hajdari vendosi pranimin e kërkesës me nr. 1623, akti i datës 26.11.2008. Deklarimin e pavlefshëm të akteve procedurale gjatë hetimeve paraprake si: a) Fletë-thirrjen e datës 24.11.2008, me nr. 1048/74 Prot, të Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, si dhe b) Deklarimin e pavlefshëm të Akt-Njoftimit të akuzës, të datës 27.11.2008), të Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë. Gjithashtu, gjykata shpalli edhe pavlefshmërinë e akteve të mëpasshme të ndërmarra nga prokuroria, që varen nga aktet e deklaruara të pavlefshme. Vendimi i djeshëm i gjyqtarit Hoxha sjell rrëzimin për të disatën herë të Prokurorisë së Përgjithshme nga dy gjykatat, ajo e Shkallës së Parë dhe Apelit.

Kërkesa për pavlefshmëri absolute

Kërkesa e ministrit të Jashtëm për pavlefshmëri absolute të akteve procedurale u depozitua ditën kur u thirr nga Prokuroria e Përgjithshme për t’u njohur me akuzën. Basha jo vetëm refuzoi paraqitjen në organin qendror të akuzës, por në të njëjtën kohë i paditi ata për pavlefshmëri të akteve të fletë-thirrjes dhe njoftimit të akuzës. Pas hedhjes në short, kërkesa i ra për shqyrtim gjyqtares Fatmira Hajdari. Gjatë seancës së parë të shqyrtimit të kësaj kërkese, prokurori Arben Kraja kërkoi shpalljen e moskompetencës së kësaj gjykate për shqyrtimin e kërkesës, pasi bëhet fjalë për një person me funksion ministër dhe aktualisht deputet. Por, kjo kërkesë u rrëzua si e pabazë nga gjyqtarja. Në këtë moment të gjyqit, prokurori kërkoi përjashtimin e gjyqtares si të njëanshme dhe depozitoi një kërkesë ku kërkonte përjashtimin e saj. Por, kjo kërkesë u hodh poshtë nga gjyqtari Altin Abdiu, i cili vendosi që të jetë gjyqtarja Hajdari ajo që duhet të vazhdojë gjykimin e kërkesës së ministrit Basha. Dhe, vetëm pas këtij rrëzimi të njëpasnjëshëm të kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Tiranës e rrëzon sërish organin qendror të akuzës, duke pranuar kërkesën e ministrit dhe shpallur të pavlefshme veprimet procedurale të zhvilluara pas vendimit të gjyqtarit Tona, si aktin e fletë-thirrjes dhe njoftimin e akuzës. Në të njëjtën kohë, kjo gjyqtare shpalli të pavlefshëm edhe dërgimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë. Disa ditë para se ministri i Jashtëm të njoftohej për akuzën, gjyqtari Sokol Tona kishte vendosur ndërprerjen e hetimeve dhe dërgimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për zgjatje të hetimeve edhe 1 muaj. Por, ende pa u marrë një vendim nga Gjykata e Apelit lidhur me apelimin e këtij vendimi nga Prokuroria e Përgjithshme, kjo e fundit i njofton akuzën ministrit Basha dhe e dërgon dosjen për gjykim në gjykatë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›