E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët në Greqi, nënshkruhet marrëveshja për punësim të rregullt

Autori i Lajmit: red.
Po hartohet projektmarrëveshja në fushën e emigrimit të punës edhe me qeverinë greke. Ky vendim është ndërmarrë nga Ministria e Punës, pas marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë për punësimin e rregullt të shqiptarëve në Itali. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, pohoi dje se “jemi në proces për nënshkrimin e një marrëveshjeje për punësim të rregullt edhe me Qeverinë greke, me të cilën po vazhdojmë negociimin nëpërmjet Ministrisë sonë të Jashtme”. Pas marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë për punësimin e rregullt të shqiptarëve në Itali, tashmë përpjekjet e qeverisë, vijoi Duro, po përqendrohen në rritjen e interesit komunitar për emigrimin për motive punësimi, duke bashkëpunuar për këtë prioritet edhe me partnerët ndërkombëtarë. Marrëveshja dypalëshe në Fushën e Punës midis Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, e nënshkruar në fund të 2008-ës në Tiranë, do të mundësojë forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për menaxhimin më të mirë të flukseve të punonjësve migrantë në drejtim të të dy shteteve. “Që marrëveshja të bëhet efiçente në të parashikohet domosdoshmëria e kontakteve mes përfaqësuesve të palëve, të cilët propozojnë zgjidhje për vështirësitë që mund të hasen në zbatimin praktik të Marrëveshjes. Pra, Marrëveshja nuk është statike”, - argumentoi ministri. Sipas tij, Marrëveshja e Punësimit dhe Protokolli i Zbatimit të saj me Italinë do të ndikojë në përcaktimin e kuotave prioritare vjetore për shtetasit shqiptarë që hyjnë për punësim në Itali. “Dhënia e një informacioni të hollësishëm e të detajuar mbi profesionet, sektorët dhe kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit shqiptarë për të punuar në Itali, do të mundësojë për çdo të interesuar informacionin për kohën e aplikimit dhe procedurat”, - shpjegoi Duro, sipas të cilit, marrëveshja përcakton mënyrën dhe procedurat që do të mundësojnë përafrimin e kërkesës me ofertën mes tregut italian dhe shqiptar të punës. Për këtë, Ministria italiane e Punës transmeton çdo vit pranë Ministrisë së Punës të Shqipërisë informacion të detajuar mbi profesionet dhe kualifikimet për të cilat ka nevojë tregu italian i punës, si dhe kriteret që duhen përmbushur nga pala shqiptare. Mbi këtë informacion, MPÇSSHB harton listat e kandidatëve potencialë për emigrim dhe nëpërmjet kanaleve diplomatike ia kalon palës italiane. Përzgjedhja përfundimtare e kandidatëve bëhet nga punëdhënësi italian. Aktualisht, Shqipëria është një ndër vendet me fluksin më të lartë të emigrimit në Evropë dhe studiuesit theksojnë se jashtë vendit ndodhen rreth 1 milionë shtetas shqiptarë. Nisur nga ky fakt, politikat migratore të qeverisë shqiptare nuk synojnë nxitjen e emigrimit të popullsisë, por përdorimin e tij si një faktor dhe burim për nxitjen e zhvillimit të vendit.

Ky lajm është publikuar: 15/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›