E Diel, 1 Nëntor 2026

Votuesit drejt kutive të votimit më 28 qershor

Autori i Lajmit: Suela Topi
Shqiptarët do të shkojnë pranë kutive të votimit në datën 28 qershor. Vendimi është marrë dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili u ka dhënë fund kështu të gjitha detyrimeve të tij për procesin zgjedhor. Me dekretimin e ligjit hapet zyrtarisht rruga për përgatitjen e administratës zgjedhore dhe gjithë procesit. Detyrat kryesore në këtë drejtim janë për Qeverinë, e cila duhet të përgatitë gjithë administratën zgjedhore dhe kartat e identitetit që janë vendosur si dokumenti me të cilin do të identifikohen votuesit plus dhe pasaportat. Por 15 ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve duhet të jenë gati dhe listat paraprake, të cilat përgatiten nga zyrat e gjendjes civile nën autoritetin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore dhe në zbatim të udhëzimeve të Ministrisë së Brendshme. Por ndërkohë duhet të nisë puna dhe e Parlamentit, i cili duhet të miratojë emrat e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partitë politike duhet të caktojnë kandidatët për KQZ-në, në mënyrë që ata të marrin votëbesimin në Kuvend.
Vendimi
Të dielën e fundit të qershorit 2009, të gjithë shqiptarët me të drejtë vote do të zgjedhin 140 deputetët e rinj që do të ulen në karriget e Kuvendit shqiptar. Në njoftimin e publikuar online në faqen zyrtare të Presidencës, thuhet se Presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve për Kuvendin “Në mbështetje të neneve 92, shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës, dhe të nenit 184 të ligjit nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”. Gjithashtu, në faqen zyrtare të Presidencës mësohet se dekreti me numër 6008 hyn në fuqi menjëherë. Shpallja e datës së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga presidenti Bamir Topi përkon me hyrjen në fuqi të ligjit për Kodin e ri Zgjedhor, i cili u botua më 31 dhjetor 2008 në fletoren zyrtare. Më 30 dhjetor 2008, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, firmosi dekretin për Kodin e ri Zgjedhor, me rregullimet e propozuara nga vetë ai. Një ditë më parë, më 29 dhjetor, Kodi, i cili ishte rikthyer nga Kreu i Shtetit për disa rregullime, u miratua me konsensusin e dy partive të mëdha, PD dhe PS. LSI e PDK kundërshtuan Kodin, pasi, sipas tyre, “Ky ligj nuk mbron interesat e partive të vogla por të mëdhatë fitojnë vota në kurriz të të vegjëlve". Dekreti i Kreut të Shtetit për Kodin e ri Elektoral u rregullua me dispozitë kalimtare nga Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore në Kuvend, pas kthimit për shqyrtim në Kuvend në datën 3 dhjetor. Ligji elektoral përcakton rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore.
Detyrat
Me caktimin e datës së zgjedhjeve, detyra e parë që lind është ajo për ngritjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili dhe zyrtarisht ka pushuar së ekzistuari. Pritet që brenda këtyre ditëve të zyrtarizohen emrat e rinj të anëtarëve nga partitë që kanë të drejtë propozimi, pikërisht Partia Socialiste, Partia Demokratike, por dhe dy parti të tjera, përkatësisht nga grupet parlmentare të mazhorancës dhe opozitës, duke përjashtuar dy partitë e mëdha. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetari i KQZ-së, zgjidhet nga grupi parlamentar i partisë më të madhe të mazhorancës, i cili i paraqet Kuvendit një liste prej jo më pak se katër kandidaturash. Pak ditë më parë PS ka deklaruar se propozimet e saj për KQZ-në do të vijnë menjëherë pas caktimit të datës së zgjedhjeve. Ndërkohë që partitë e tjera kanë pohuar se po diskutojnë për emrat. Pas propozimit të emrave do të jetë Kuvendi që do të japë pëlqimin për kandidaturat. Një tjetër institucion që ngarkohet tashmë me një sërë detyrash është Qeveria. Ekzekutivi duhet të nisë përgatitjet për gjithë infrastrukturën zgjedhore për të arritur deri tek dita e votimit, kur po aq detyrime janë dhe për mbarëvajtjen e procesit dhe zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare për të marrë një notë pozitive. Strukturat ndërkombëtare i konsiderojnë zgjedhjet e vitit 2009 si një test i rëndësishëm për arritjen e standardeve në prag të pritjes së ftesës për t u bërë anëtar me të drejta të plota në NATO dhe për të marrë ftesën në BE.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›