E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i buxhetit, Meta akuza ramës për mungesën

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka lëshuar dje kritika kundër kryetarit të Bashkisë, Edi Rama në lidhje me rrëzimin e buxhetit 2009. “Pse kryetari i Bashkisë nuk merr pjesë në mbledhje kur diskutohet buxheti i Bashkisë dhe a ka gjë më të rëndësishme për një kryetar bashkie të çdo qyteti në botë, brenda një viti sesa diskutimi dhe miratimi i buxhetit të Bashkisë? - tha ai. - Dua t ju them këtyre këshilltarëve se qytetarët e Tiranës nuk i besojnë më përrallat me modelin e suksesshëm që i bën buxhetet në funksion të kartelave dhe jo të qytetarëve. Lëvizja Socialiste për Integrim, pavarësisht nga raportet me Partinë Socialiste apo me parti të tjera, ka një orientim të qartë për të gjithë drejtuesit e saj vendorë dhe për të gjithë këshilltarët e saj në të gjitha bashkitë dhe komunat e Shqipërisë. Për sa i përket bashkëpunimit me Partinë Socialiste, ju e dini që ne i kemi konsumuar të gjitha përpjekjet tona në këtë drejtim. Njëkohësisht, ju e dini se ne tashmë kemi nisur përgatitjen tonë për zgjedhjet e ardhshme të qershorit. Ju e dini që LSI po punon dhe do të konfigurojë koalicionin e saj dhe alternativën e saj, jo vetëm elektorale, por edhe qeverisëse. Sistemi zgjedhor, i cili në thelb është proporcional, është një sistem që i krijon mundësi çdo alternative të dalë në mënyrë të pavarur në zgjedhje dhe njëkohësisht, të peshohet nga qytetari shqiptar. Ju e dini që LSI është 24 orë e hapur dhe e tillë do të mbetet për të gjithë ata që kërkojnë bashkëpunim me LSI”, - tha kryetari LSI, Meta. Meta në lidhje me raportin e organizatës monitoruese “Freedom House“, e cila konkludon se Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara për të drejtat civile në vend bëri përgjegjëse qeverisjen.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›