E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa karta identiteti nuk ka zgjedhje

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste përsëriti dje se pa pajisjen me karta identiteti për të gjithë shqiptarët nuk ka zgjedhje në Shqipëri ndërsa e ka quajtur të dështuar procesin e nisur në 12 janar. Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Integrimit në PS, Taulant Balla tha se kryeministri Berisha bëri demagogji për shpërndarjen e këtyre mjeteve identifikuese. “Sali Berisha lëshoi dy ditë më parë demagogjinë e radhës, duke u munduar të kamuflojë për të suksesshëm një proces që dështoi. Sot Sali Berisha na tregoi se "kjo ishte loja", duke e cilësuar atë si një provë, por në fakt ai vazhdon të tallet me shqiptarët. Një javë rresht lajmëroi nisjen e procesit në datën 12 janar, dhe jo nisjen e provave për shpërndarjen e letërnjoftimeve”- theksoi deputeti socialist. Balla tha se para se të niste shpërndarja e letërnjoftimeve, Qeveria duhej të miratonte vendimin për subvencionin e letërnjoftimit për kategoritë e veçanta. Duke folur rreth raportit që u paraqit dje nga ministri i Jashtëm Lulzim Basha në BE, ai theksoi se për pjesën më thelbësore të Pyetësorit ende nuk ka rezultate konkrete, ndërsa kalimet e paligjshme të kufirit vazhdojnë të rrezikojnë jetët e shqiptarëve, sikurse ndodhi tre ditë më parë në kufirin me Greqinë.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›