E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në Greqi, si duhet të veprojnë për të mos djegur pensionin

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur bashkëpunimin me homologët e tij në Greqi. Disa ditë më parë, një grup specialistësh, i kryesuar nga drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi, zhvilloi një takim me drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Greqi ( IKA-s). Në takimin me drejtorin e IKA-s, Dimitris Avellas, dhe me stafin drejtues të IKA-s, u bë prezantimi i kërkesave të legjislacionit të sigurimeve shoqërore të secilit vend, u ra dakord për nisjen e procedurave për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes ISSH-së dhe IKA-s. Propozimi në fjalë u mirëprit nga pala greke dhe u ra dakord për ngritjen e një grupi teknik pune për hartimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, i cili pritet që të konkretizohet më 12.11.2008 në Tiranë. Në rast se do të arrihet nënshkrimi i kësaj marrvëshjeje, do të bëhet i mundur ofrimi i mbrojtjes sociale si për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi, ashtu dhe për ata grekë që jetojnë në Shqipëri. Gjithashtu, në kuadër të kësaj çështjeje, përfaqësuesit e ISSH-së zhvilluan një takim me sindikatat e shqiptarëve, shoqatat e emigrantëve si dhe përfaqësuesit e mediave shqiptare në vendin fqinj. Në këtë takim, që u zhvillua në ambasadën shqiptare në Athinë, u dha informacion për përfitimet që u lindin shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi nga ligji për Sigurimet Shoqërore. Gjatë fjalës në këtë takim, drejtoresha e ISSH-së, Evelina Koldashi, vuri theksin në faktin se skema e sigurimeve shoqërore në Shqipëri ka rol të rëndësishëm në kuadër të mbrojtjes sociale. Në kuadër të menaxhimit të këtij sistemi, por edhe të rëndësisë sociale, ISSH ka një politikë përkujdesjeje për emigrantët, veçanërisht për atë pjesë të emigrantëve që ka një histori kontributive në Shqipëri. “Sipas statistikave, më se 30 % e popullsisë shqiptare është në emigracion, çka nënvizon vëmendjen e "detyruar" dhe përgjegjësinë morale dhe institucionale për informimin e emigrantëve në lidhje me përfitimet që rrjedhin nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore shqiptare dhe "ruajtja" dhe pasurimi i historikut të tyre kontributiv”, - deklaroi drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së. Kështu, në kuadër të këtyre procedurave, kreu i ISSH-së vuri në dukje se institucioni që ajo drejton “ndien përgjegjësinë të informojë falas të gjithë të interesuarit se, përmes pagesës vullnetare, ata mund të plotësojnë minimumin e nevojshëm të përcaktuar nga ligji për të pasur përfitime nga skema jonë, duke bërë të mundur që asnjë ditë pune e tyre të mos humbasë”. Në kuadër të krijimit të lehtësive për këtë kategori punonjësish, ISSH është në dispozicion të çdo emigranti shqiptar që të verifikojë falas, kundrejt kërkesave të paraqitura nga emigrantët, historikun e tyre kontributiv në skemën tonë dhe të japë informacion për plotësimin e periudhave minimale për të përfituar pension. Në këtë takim si për mediat e pranishme, ashtu dhe nga sindikatat dhe shoqatat pjesëmarrëse, u përshkruan në mënyrë të hollësishme përfitimet që mund të përfitojnë emigrantët, me atë historik kontributiv që mund të kenë në Shqipëri, dhe si duhet të veprojnë për të mos e “djegur” këtë vjetërsi kontributive.

Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›