E Diel, 1 Nëntor 2026

Si mund të sigurohen emigrantët në Shqipëri

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Me fillimin e proceseve demokratike, mbas vitit 1990, në shumë vende të botës emigruan shumë shtetas shqiptarë. Numri më i madh i emigrantëve është në vendet fqinje, në Greqi dhe Itali, ku ky numër është rreth shifrave, respektivisht 650.000 dhe 420.000 veta. Qëllimi i këtij eksodi është sigurimi i një jetese më të mirë, aq më tepër që në Shqipëri u mbyllën pjesa më e madhe e ndërmarrjeve ekonomike, të cilat nuk u mbijetuan kërkesave të konkurrencës që kërkon ekonomia e tregut, duke lënë pa mjete jetese një numër mjaft të madh punonjësish. Duke qenë se në shumicën dërrmuese ky emigrim u bë për të punuar në këto vende, për të siguruar mjete jetese për vete dhe për pjesëtarët e familjes në Shqipëri, nisur dhe nga mosha mesatare mjaft e re që është në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera, shtetasit e emigruar përbëjnë një moshë vitale. Duke lidhur historikun e tyre me ndërmarrjet që kanë punuar dhe, rrjedhimisht, dhe me sigurimin e tyre për efekt përfitimi nga Ligji Nr.7703 datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, një pjesë e tyre kanë disa vite sigurimesh në Shqipëri, mbasi para viteve 1990, për vetë natyrën e sistemit, puna e zezë dhe ekonomia informale nuk njihej. Në kushtet e ekonomisë së centralizuar, pjesa për sigurimet shoqërore mbahej në formen e një takse nga paga e të punësuarve dhe derdhej në buxhetin e shtetit, ndërkohë që dhe përfitimet përballoheshin nga buxheti i shtetit. Kështu që të gjithë punonjësit, mjaftonte të ishin në marrëdhënie pune që të konsideroheshin të siguruar. Mbas viteve 90, duke mos pasur asnjë lloj tradite në ekonominë e tregut, dhe duke e konsideruar pagesën e kontributeve si një lloj takse që i paguhej shtetit dhe jo një mundësi për përfitimin nga kjo pagesë në kohën kur punonjësi nuk do të kishte mundësi fizike pune, qoftë për arsye moshe apo sëmundjeje, një pjesë e të vetëpunësuarve mundohen t i shmangen pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore. Po kështu, duke përfituar dhe nga institucionet e brishta shtetërore, disa punëdhënës e shumë biznese fshihnin detyrimet kontributive për të punësuarit e tyre, si nëpërmjet deklarimit të një numri të vogël punonjësish, ashtu dhe të deklarimit të një page shumë më të vogël nga ajo që e paguan realisht për të rritur në mënyrë të pandershme fitimet e tyre. Në këto kushte, një numër i madh shtetasish, dhe rjedhimisht dhe emigrantë, rezultojnë të pasiguruar, si për efekt të punës së zezë, ashtu dhe të papunësisë. Mundësi për këto kategori punonjësish, që aktualisht nuk janë të mbrojtura nga sigurimi i detyrueshëm, apo kanë dhe periudha të kaluara të pambuluara, është sigurimi vullnetar. Pra, kur një shtetas, për një arsye apo tjetër, nuk është i mbrojtur nga sigurimi i detyrueshëm, ose ka periudha të kaluara të pambuluara nga sigurimi i detyrueshëm, i kompenson këto vite sigurimi nëpërmjet skemës vullnetare të sigurimit.
Fushat
1. Vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrushëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi, bëjnë sigurim vullnetar.
2. Mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për vitin korent. Kontributi që do të paguhet, do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.
3. Sigurim vullnetar kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin korent. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.
4. Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash, kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.
Kushtet
Që një shtetas shqiptar të sigurohet vullnetarisht duhet të ketë mbushur moshën 18 vjeç. Sigurimi të bëhet para lindjes të së drejtës për përfitim nga ligji për sigurimet shoqërore. Aktualisht, kontributi mujor për të përfituar nga kjo skemë duke filluar nga 01.07.2008 është 3.544 lekë, e cila ndryshon në çdo vit kalendarik. Edhe për sigurimin e periudhave të kaluara do të paguhen me këtë shumë, për arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund të paguhen tremujore dhe kur këto paguhen paradhënie zbritet 1.5 % nga shuma e kontributeve, gjashtëmujore ku zbritet 3 % e kontributeve dhe vjetore ku zbritet 6 % e kontributeve.
Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›