E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në Itali, qeveria dyfishon lejet e qëndrimit për të gjitha kategoritë



Ervin KOÇI

Qeveria italiane ka në plan që brenda këtij viti të dyfishojë sasinë e dhënies së leje të qëndrimit të përhershme për emigrantët e rregullt nga vendet e ndryshme të botës. Sipas informacioneve zyrtare që vijnë prej Ministrisë së Brendshme të shtetit fqinj, deri në fund të vitit 2009, sasia e dokumenteve të njohura si “Permessi di soggiorno” do të jetë të paktën dyfishi i atyre të dhëna deri tani. Kjo masë vjen në kuadrin e politikave pro-emigracion që po ndjek Italia së bashku me një sërë shtetesh të BE-së, të cilat synojnë të mbajnë në këmbë fuqinë punëtore të emigrantëve për të mos krijuar anomalia në sistemin ekonomik të vendeve, nisur edhe nga kushtet e vështira të krijuara nga kriza ekonomike. Duke iu referuar disa prej gazetave të përditshme italiane të cilat kanë publikuar edhe lajmin e mësipërm, bëhet fjalë për një numër mjaftë të madh shtetasish të huaj që ndodhen në Itali prej vitesh me leje qëndrimi të përkohshme të cilën e rinovojnë herë pas here pranë autoritete italiane. Kategoritë e këtyre shtetasve i përkasin vendeve të ndryshme, ku një pjesë e madhe e përfituesve nga ky veprim bujar i shtetit italian do të jenë edhe qindra emigrantë shqiptarë të cilët presin të parin statusin përfundimtar të qëndrimit në Itali.

Procesi

Falë një riorganizimi të zyrave të Kuesturave, si dhe e vënies në veprim të rrjetit të ri të informatikës, procedurat për pajisjen e emigrantëve me lejet e qëndrimit të përhershëm në Itali do të përshpejtohen mjaftë dhe do të eliminohen edhe burokracitë. “Ka ardhur koha t’u themi lamtumirë radhëve të gjata dhe procedurave sfilitëse të pritjes”, -deklaron Kuestori i qytetit të Komos, Masimo Maza, për një të përditshme italiane. Sipas tij, kjo gjë do të bëhet për të eliminuar problemet dhe burokracitë që deri tani shfaqeshin për qytetarët e huaj në Itali. Duke iu referuar gjithmonë të njëjtave burime, mësohet se nëpërmjet sistemit të ri të kompjuterizuar të zyrave të kuesturave italiane, tani qytetarët e huaj do të kenë mundësinë e aplikimit për pajisjen me këto dokumente edhe direkt duke aplikuar nga kompjuteri i shtëpisë së tyre. Pra pa pasur nevojë që vijnë e të qëndrojnë në radhë para sporteleve të zyrave të kuesturave. Për ta bërë këtë veprim nga shtëpitë, autoritet njoftojnë se çdo aplikant mjafton që të lidhet me faqen e internetit www.poliziadistato.it, si dhe të konsultohet për të dhënat e tij personale sipas regjistrave personalë.

Si do të veprohet

Në praktikën e këtij aplikimi, të interesuarit duhet të përzgjedhin gjuhën me të cilën do duan të komunikojnë për të realizuar procesin. Personi duhet të zgjedhë midis gjuhëve italisht, anglisht, frëngjisht, spanjisht, rusisht dhe arabisht. Më pas ai duhet ta bëjë me dije këtë vendim, si dhe të shënojë në hapësirën e aplikimit kodin numerik të aplikimit të tij (nëse kërkesa është paraqitur nëpërmjet zyrave të Kuesturës), ose nëpërmjet faturës të paraqitur me anë të zyrës postare. Shërbimi në fjalë do tu bëjë të mundur shtetasve me kombësi të huaj që ata të marrin informacion mbi vendimin përfundimtar të autoritete. Nëse leja e qëndrimit do të jetë gati për t’iu dhënë shtetasit me kombësi të huaj (emigrantit), nëpërmjet një harte gjeografike të posaçme e cila mbulon të gjithë territorin e Italisë, do të caktohet vendi se ku emigranti aplikues do të duhet të shkojë për të tërhequr dokumentin e lejes së qëndrimit.

Lejet e qëndrimit, në vitin 2008 Italia dhe vetëm 6424 të tilla

Autoritetet italiane kanë pretenduar këtë vit se po dyfishojnë numrin e lejeve të përhershme të qëndrimit për të gjitha shtetasit e huaj që aplikojnë për këtë dokument. Sipas tyre, në vitin 2008 autoritet italiane të Ministrisë së Brendshme dhanë gjithsej për shtetasit e huaj 6424 dokumente të tilla. “Këtë vit kemi shtuar në mënyrë të ndjeshme aplikimet për dokumentet e lejeve të qëndrimit, ku në krahasim me vitin e kaluar (2008), e kemi rritur nivelin e dhënies së tyre me 100 për qind”, - deklarojnë autoritet e kuesturave italiane. Sipas autoriteteve, 5 vendet e para që kanë dhe nivelin më të lartë të shtetasve të huaj, emigrant në Itali, janë Maroku, Shqipëria, Turqia, Tunizia dhe Ukraina.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›