Dhuna në familje, policia merr në mbrojtje 3 gra dhe një të mitur
Luan Kondi
Tiranë – Policia vazhdon të përballet çdo ditë me rastet e denoncimit të grave të dhunuara nga bashkëshortët. Madje, pas verifikimeve të rasteve, janë lëshuar nga gjykata urdhra për mbrojtjen e tyre. Vetëm në 24 orët e fundit, policia e kryeqytetit, pas vendimit të Gjykatës, ka marrë në mbrojtje katër persona të tillë, ku njëri prej tyre është një i mitur i keqtrajtuar nga e ëma. Madje uniformat blu kanë shpallur në kërkim Lumturie Gj., nënë e fëmijës së dhunuar. Dy rastet e tjera që janë marrë në mbrojtje nga policia u takojnë dy grave, përkatësisht 33 dhe 31 vjeçe, të cilat keqtrajtoheshin nga bashkëshortët. Një tjetër rast, sipas raportit të policisë, është ai i regjistruar në Kavajë. Në këtë qytet u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për një 48 - vjeçare, banuese në Golem. Ajo është keqtrajtuar nga djali, 20 vjeç, i cili ka qenë i dënuar për vjedhje.
Dhuna
Rastet e marrjes në mbrojtje nga policia janë të shumëllojshme. Kjo e fundit realizohet jo vetëm për gratë e dhunuara nga burrat, por edhe nënat e keqtrajtuara nga fëmijët e tyre dhe anasjelltas. Në fakt, fenomeni më i përhapur është ai i keqtrajtimit të grave nga bashkëshortët. Po t’u referohemi statistikave, 612 femra kanë kërkuar mbrojtje për dhunën në familje gjatë viti 2008, një shifër kjo alarmante. Po ashtu, në katër muajt e parë të viti 2009 në mbi 20 raste policia e kryeqytetit ka marrë në mbrojtje gratë e dhunuara. Po t’u referohemi shifrave, dhuna në familje ka qenë shqetësimi i autoriteteve zyrtare, pasi (sipas raporteve të OJF-ve) 25 për qind të vrasjeve që ndodhin në vend i zë krimi në familje. Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të dhunës në familje. Një vit më parë pati iniciativa politike dhe parlamentare për ashpërsimin e dënimeve në Kodin Penal për këto raste. Shoqëria shqiptare po përjeton një periudhë në të cilën vihet re një rritje e fenomenit të dhunës, duke u ndalur edhe në format e saj: dhunë emocionale, forma më e hasur e dhunës në familje; dhunë ekonomike, që ndeshet më shumë në zonat urbane; dhunë fizike, që ndeshet më shumë në zonat rurale; si dhe dhunë seksuale, që rezulton më pak e raportuar.
Rastet
Më 27 mars të këtij vitit policia e kryeqytetit ka marrë në mbrojtje të menjëhershme një 47-vjeçare, e cila rrihej sistematikisht nga i shoqi. Sipas burimeve, Sh. M. kishte denoncuar dhunën fizike dhe psikologjike që ushtrohej ndaj saj në Komisariatin numër 6 të Policisë në lagjen “Kombinat” të Tiranës. Policia këshilloi edhe të shoqin, F. H., 52 vjeç, për të mos u konfliktuar sërish me bashkëshorten.
Më 17 shtator 2008 një tjetër ngjarje u regjistrua kur një grua, edhe pse mbrohej nga policia, u keqtrajtua nga ish-bashkëshorti. Vetëm pas denoncimit të radhës në Komisariatin e Policisë së Durrësit, forcat e rendit janë vënë në kërkim të bashkëshortit 40-vjeçar, i cili ishte larguar nga banesa. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bënë me dije se shtetasja L. K. kishte bërë kallëzim ndaj bashkëshortit të saj F. K., lindur në Dibër dhe banues në Lagjen Nr. 14 në qytetin bregdetar. 40-vjeçari F. K. kishte shkelur vendimin e gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për gruan e tij. Po vitin e kaluar një rast pikant ishte ai kur një burrë keqtrajtoi gruan dhe vjehrrën pasi sipas tij nuk i kishin ndaluar takimin me vajzën, teksa burrë e grua ishin në një proces divorci.
U nda me të dashurin, var veten 16-vjeçarja
Tiranë - Një 16-vjeçare ka varur veten dy ditë më parë në Zall-Herr të Tiranës, duke shkaktuar një tragjedi në familjen e saj. Burime të policisë u shprehën për gazetën se ky vendim i adoleshentes mbetet ende i pashpjegueshëm, pasi ajo njihej si një vajzë e qetë, por dyshohet se ka pasur disa probleme sentimentale me një të njohurin e saj. Ngjarja e rëndë është konstatuar nga nena e vajzës kur ajo sapo ishte kthyer nga puna. Policia e Tiranës shpjegoi se Arlinda Peçi e ka kryer këtë veprim kur ndodhej e vetme në shtëpi. Prindërit kanë shkuar në punë si çdo ditë dhe ajo nuk ka dashur të shkojë në shkollë. Ka takuar vetëm një shoqen e saj, të cilës i është shprehur hapur se ishte mërzitur, pasi ishte ndarë me të dashurin. Me pas 16-vjeçarja ka shkuar në banesë, ka marrë një litar dhe është varur në një pemë të oborrit.
Shijak, takim me ekspertët për luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike
Durrës - Në kuadër të plan-veprimit “Për parandalimin, organizimin e punës për kryerjen e operacioneve policore mbi identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit”, në bashkinë Manzë të rrethit Durrës u organizua një takim me drejtues të sektorit kundër krimit të organizuar dhe komisariatit të Policisë së Shijakut. Pjesëmarrësit u njohën me plan-veprimin e lartpërmendur dhe me detyrat apo përgjegjësitë e ngarkuara në kuadër të tyre ndaj përfaqësuesve të pushtetit vendor. Në takim u fol gjithashtu edhe për mënyrën sesi duhet bërë sensibilizimi i komunitetit për efektet negative, si të anës shëndetësore, ashtu dhe sociale që vijnë nga përdorimi i bimës narkotike, duke i dhënë një shtysë më të madhe parandalimit dhe luftës ndaj fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike.
2 Maj 2009