E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porto Romano, fillon shfrytëzimi i depozitave të reja të naftës dhe gazit



Porti i ri energjetik i Porto Romanos në afërsi të qytetit të Durrësit, ka nisur tashmë nga puna pas testimit me sukses të impianteve të transmetimit dhe të kalimit të hidrokarbureve për në depozita. Prej disa ditësh në këtë port të ri, ka nisur shkarkimi i hidrokarbureve të para, të cilat kanë ardhur aty për llogari të kompanive shqiptare. Inaugurimin e këtij prontili e ka bërë e para një anijeje e ngarkuar me gaz të përzier, që ka shkarkuar aty dhe ngarkesën e parë. Anija që u shkarkua aty e para ishte me flamur qipriot dhe sipas autoritete të portit vinte e ngarkuar nga Gjeorgjia me një kapacitet të përgjithshëm transporti 4600 ton. Ankorimi i cisternës me gazin e lëngshëm gjeorgjian është kryer nën masa të rrepta sigurie dhe në orën 15:15 minuta, anija ka hedhur spirancën, duke shënuar në historinë e këtij pontili edhe orën kur u bë shkarkimi i parë. Cisterna kishte në depot e saj për këtë shkarkim, rreth 2000 ton gaz të lëngshëm të përzier, të cilin anija e kishte ngarkuar në portin e Batumit. Manovra e ankorimit është bërë në kushtet e valëzimeve të forta në det, pasi forca e erës dhe valëzimit i kalonte 3 ballë. Gjatë përpunimit te anijes cisternë, për të kryer procedurat e domosdoshme, i pranishëm ka qenë edhe një grup i Doganës së portit të Durrësit. Po ashtu praktika e zakonshme e kontrollit dhe e mbushjes së proces verbaleve të dokumentacionit sipas kodeve detare, është bërë edhe nën prezencën e ekipit të Kapitenerisë së Durrësit. Me fillimin e punës së portit të ri të karburanteve, iu hap rrugë tashmë edhe zgjidhjes së çështjes mjaft të debatuar së fundmi që ka të bëjë me sigurinë e portit më të madh në Shqipëri, Durrësit. Tani duket se do të marrë fund edhe ankthi i mijëra qytetarëve durrsakë mbi rrezikun e përhershëm që përbënte prania e mijëra tonelatave karburanti pranë zonave të banuara. Pas fillimit nga puna të këtij porti, pritet që, muajt e ardhshëm të boshatisen cisternat e montuara në afërsi te banesave thuajse brenda qytetit. Ankorimi anijes cisterne, dhe shkarkimi në tubacionet e naftës për në depozitat e reja, përbën edhe fillimin e funksionit të këtij porti, i cili do të përdoret vetëm për hyrjen dhe daljen e karburanteve e që do të njihet si Porti i Porto Romanos.

METE: Garantimi dhe siguria e cilësisë së produkteve sipas standardeve të BE-së

Në javën e tretë të muajit maj do të organizohet në Tiranë, Konferenca e parë e Infrastrukturës së Cilësisë, nga 3 institucionet shqiptare të Infrastrukturës së Cilësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA), Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS), institucione të rëndësishme në vartësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Burime zyrtare nga DPA bëjnë të ditur se ideja për zhvillimin e kësaj konference erdhi si rezultat i synimit për të krijuar traditën e një forumi, ku grupet e operatorëve ekonomikë, kërkuesve shkencorë e rregullatorëve ligjorë, të shkëmbejnë arritjet dhe shqetësimet e tyre, si dhe të krijojnë lidhjet e domosdoshme për projekte të suksesshme e një zhvillim të qëndrueshëm të infrastrukturës së cilësisë në Shqipëri. Në konferencë është parashikuar edhe përfshirja e individëve dhe institucioneve të rëndësishëm nga vendet e rajonit. Është parashikuar që një nga seksionet e konferencës të ketë të gjitha atributet e një konference shkencore për të ndihmuar edhe në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushat respektive. Në konferencë do të diskutohen tema të rëndësishme, që paraqesin arritje si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë aplikativ si, "Menaxhimi i Cilësisë- Koncepte, Principe, Programe dhe Filozofitë mbi to", "Sistemet e integruara të menaxhimit", "Standardet dhe cilësia në organizata", "Standardet dhe cilësia e siguria e produkteve, proceseve e shërbimeve", "Standardet dhe legjislacioni evropian e ai shqiptar", "Matjet, kontrolli dhe cilësia në prodhim" etj.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›