E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pensioneve, ISSH-ja përfundon llogaritjet, nis marrja e shtesës



Jonida Tashi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Tiranë (ISSH) ka përfunduar llogaritjet për rritjen e pensioneve për të gjithë përfituesit. ISSH-ja bën të ditur se ka nisur që ditën e djeshme, shpërndarja e shtesës lidhur me rritjen e pensioneve. Sipas specialistëve të ISSH-së, pensionistët duhet të jenë të sigurt se në datën që do të paraqiten pranë arkave paguese do të marrin pensionin e rritur. Kështu në datën 1 Maj, në këto arka janë dërguar urdhër-pagesat e reja, në të cilat është shënuar edhe masa e rritur e pensionit. Kështu, çdo pensionist në datën përkatëse të pensionit, bashkë me pagesën mujore do të marrë edhe shtesën e përcaktuar për kategorinë ku bën pjesë, si dhe kompensimin që përfiton.
Llogaritja
Pas llogaritjeve të bëra nga ekspertët e ISSH-së, do të rriten në masën 8 për qind pensionet e pleqërisë së qytetit, 10 për qind pensionet familjare dhe të invaliditetit të qytetit. Ashtu siç ishte parashikuar, më të privilegjuar nga kjo rritje, do të jenë pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjar në fshat, të cilat rriten në masën 22 për qind. Më pak të favorizuar nga rritja e pensioneve, të akorduar nga qeveria, do të jenë përfituesit e të gjitha pensioneve suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të pilotëve fluturues, të detarëve, të punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake. Ndërsa trajtimi i veçantë i ish-punonjësve të nëntokës është rritur në masën 10 për qind.
Nga kjo rritje do të transferohet drejt buxheteve familjare të pensionistëve shuma 4 412 milionë lekë, fond i cili është vënë në dispozicion të ISSH-së nga qeveria.
Kompensimi
Të gjitha pensionet minimale të pleqërisë përveç rritjes prej 8 për qind, do të përfitojnë dhe një kompensim në masën 190 lekë, duke e çuar rritjen reale të të ardhurave minimale të pensionistit në masën 10 për qind. Në këtë kategori pensionesh përfitojnë 126 177 persona. Kështu, me këtë rritje dhe shtesë, të ardhurat minimale të pensionistëve që marrin pension të plotë pleqërie bëhet 12 226 lekë. Kompensimin deri në masën 190 lekë, do ta përfitojnë edhe pensionet e pjesshme të pleqërisë. Ky kompensim u jepet përfituesve në proporcion me masën e pensionit që ata kanë. Sipas specialistëve të pensioneve, ky kompensim i bën këto pensione që të përfitojnë një rritje reale të të ardhurave në masën 10 për qind. Në këtë kategori përfitojnë 44 077 persona. Pra, kompensimin në masën deri në 190 lekë e përfitojnë 203 850 pensionistë.
Në total, nga rritja më e fundit e pensioneve përfitojnë 283 702 pensione pleqërie urbane, 41 000 pensione invaliditeti urbanë, 49 619 pensione familjare urbane. Ndërsa në fshat përfitojnë 142 786 pensione pleqërie, 5467 invaliditeti dhe 11 333 pensione familjare. ISSH-ja thekson se, rritja e pensioneve nuk cenon asnjë prej kompensimeve që janë dhënë gjatë periudhave të mëparshme. Të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç kompensimeve të përfituara me vendime të veçanta të qeverisë, do të përfitojnë edhe rritjen më të fundit që ka filluar të tërhiqet që dje në të gjitha zyrat postare.

Rritja në shifra pas llogaritjeve
8 për qind është rritja për pensionet e pleqërisë së qytetit

10 për qind pensionet familjare dhe të invaliditetit të qytetit

22 për qind pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjar në fshat

4 për qind pensionet suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të pilotëve fluturues, të detarëve, të punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake

10 për qind është rritja për trajtimin e veçantë të ish-punonjësve të nëntokës

Shuma e pensioneve pas rritjes

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në qytet nuk mund të jenë më të vogla se 12 226 lekë në muaj

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në fshat nuk mund të jenë më të vogla se 7234 lekë në muaj

Të ardhurat për pensionin maksimal në qytet bëhen 21 052 lekë në muaj

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›