Emigrantët nga lindja, Gjermania kërkon kufizime edhe për dy vjet
Gjermania kërkon kufizimin edhe me dy vjet të tjera për punëtorët që vijnë nga lindja. Kërkesa për reduktimin e lëvizjes së lirë i është përcjellë disa ditë më parë selisë qendrore të BE në Bruksel. Këtë bën me dije Ministria e Punës në vendin tonë. Teorikisht këto kufizime duhej të anuloheshin, më 1 maj, por 15 anëtarët e “Bllokut të Vjetër” mund të kërkojnë edhe një zgjatje të mëtejshme, nëse provojnë se ardhjet masive të punëtorëve të rinj imigrantë mund të kenë ndikim në tregun e brendshëm të punës. ”Kërkesa gjermane për të shtyrë edhe dy vjet këto kufizime, lidhur me shtetas nga Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Lituania, Letonia dhe Estonia iu përcoll Brukselit ditët e shkuara”, sqarojnë specialistët e ministrisë. Sipas tyre, shtetet anëtare mund të kufizojnë gjithashtu hyrjet e punëtorëve shtetas nga Bullgaria e Rumania, që u anëtarësuan në BE në 2007, të paktën deri në 2011. “Kërkesa për zgjatjen e kufizimeve vjen në një kohë, kur niveli i papunësisë në Gjermani njohu një rritje të papritur në mars”, theksojnë ekspertët. Ministria jonë e Punës për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve sjell informacion edhe mbi lejet e qëndrimit në Itali. Gjithçka në mënyrë që ata të jenë sa më të informuar mbi atë çka mund të përfitojnë.Nga sa bëjnë me dije specialistët, tashmë ka një kanal informativ, kushtuar lejeve të qëndrimit, që mund të konsultohet drejtpërdrejt on-line. “Ky është një projekt i realizuar nga “Polizia di Stato”, tashmë në dispozicion të publikut të gjerë”, nënvizon Ministria e Punës. Me anë të këtij programi, shtetasi i huaj që ka paraqitur kërkesë për lëshimin, ripërtëritjen apo dublikimin e lejes së qëndrimit do të gjejë përgjigje në web, thjesht duke u lidhur me sitin institucional të “Polizia di Stato” (www.poliziadistato.it), çka do të mundësojë qasjen në një “banko data” informative, specifike.