Kriza, pritet rritje e papunësisë
Kriza globale pritet të ndikojë në rritjen e papunësisë në vend. Në vrojtimin më të fundit të kryer nga Banka e Shqipërisë, pjesa më e madhe e konsumatorëve janë shprehur pesimist për sa i përket punësimit. Ata janë të bindur se shumë njerëz do të humbasin vendet e punës. Pesimistë janë shprehur edhe për situatën ekonomike dhe financiare. “Situata ekonomike dhe financiare është vlerësuar negativisht dhe në rënie nga konsumatorët gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Vlera negative vazhdon të shënojë edhe balanca e kostos mesatare të jetesës. Pritjet e konsumatorëve për inflacionin pas 12 muajsh në tremujorin e parë të vitit qëndrojnë rreth vlerës 2.02 për qind. Pritjet e konsumatorëve për çmimet pas një tremujori dhe pas një viti vazhdojnë prirjen rënëse që nga vrojtimi i kaluar. Për sa i përket nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm, rreth 46 për qind e konsumatorëve presin që ai të rritet dhe rreth 18 për qind e tyre presin që ai të ulet”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me vrojtimin e mëparshëm, këtë herë besimi i konsumatorëve ka pësuar një rritje të lehtë, por vetëm për pjesën e blerjeve. “Treguesi i Besimit të Konsumatorit (TBK), në tremujorin e parë të vitit 2009, shënoi një përmirësim të lehtë duke u rritur me rreth 0.1 pikë përqindjeje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008. Përmirësimi i lehtë në këtë tregues u përcaktua nga përmirësimi i balancës mbi situatën e blerjeve në shuma të mëdha, si dhe pritjet mbi situatën financiare për tremujorin e ardhshëm. Ndërsa, pritjet e konsumatorëve për situatën e përgjithshme ekonomike dhe gjendja aktuale financiare kanë ndikuar negativisht në IBK. Treguesi i Besimit të Konsumatorit, ashtu si në tremujorin paraardhës, edhe në këtë tremujor qëndron nën mesataren e tij afatgjatë”, thuhet në vrojtim. Sipas rezultateve të vrojtimit të BSH-së, gjatë 3-mujorit të parë të vitit aktiviteti i sektorit të ndërtimit dhe atij të shërbimeve kanë pësuar rënie. Konkretisht treguesi i tendencës ekonomike (TTE) ra me 33 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2009, duke shënuar vlerën 67.5. Vlera aktuale e treguesit të tendencës ekonomike qëndron nën mesataren e tij historike. Sipas rezultateve të vrojtimit, rreth 74 për qind e bizneseve që kanë qenë pjesë e këtij vrojtimi janë shprehur se nuk kanë kryer investime në gjashtëmujorin e fundit.