E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, pala greke me dy sportele 2 km radhë në kufi

Kakavije- Sportelet e pakta me të cilat ka punuar pala greke në doganën e Kakavijes kanë rikthyer radhët e pritjes në kufi për emigrantët në këto ditë të festës së Pashkëve. Gjatë ditës së premte, në dy doganat kufitare të Qarkut të Gjirokastrës, Kakavije dhe Tri Urat, është shënuar një fluks në rritje i emigrantëve, të cilët udhëtojnë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë për të kaluar festën e Pashkëve në vendlindje. Por numri i pakët i sporteleve me të cilat ka punuar pala greke në Kakavije ka bërë që gjatë orëve të para të ditës në tokën greke të regjistrohen radhë të gjata pritjeje. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit, gjatë orëve të natës dhe orëve të para të mëngjesit të së premtes në Kakavije pala greke ka punuar me dy sportele, duke përpunuar vetëm pasagjerët e rreth 90 autobusëve që udhëtonin në drejtim të Shqipërisë. Kjo situatë në tokën greke ka krijuar radhë të gjata pritje, deri në 2 km të autoveturave të emigrantëve. Me qëllim rikthimin e normalitetit për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve, në këtë stacion kufitar gjatë orëve të paradites, drejtori Rajonal i Kufirit në Gjirokastër, drejtues Eduart Caka, ka zhvilluar një takim zyrtar me përfaqësues të policisë greke, ku ka kërkuar shtimin e sporteleve dhe kapaciteteve përpunuese në Kakavijen greke. Pas takimit pala greke ka çuar në 4 numrin e sporteleve të kontrollit, çka ka bërë që lëvizja në kufi të normalizohet ndjeshëm.

Deri në orën 14.00 të së premtes nëpërmjet doganës së Kakavijes kanë hyrë në Shqipëri rreth 7 mijë persona dhe 2 200 automjete, çka e çon në rreth 14 mijë numrin e emigrantëve që kanë udhëtuar në drejtim të vendlindjes gjatë dy ditëve të fundit.

Sipas burimeve në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër, janë marrë një sërë masash me qëllim shmangien e radhëve të pritjes gjatë përpunimit të dokumenteve në sportelet e kontrollit. “Nga pala jonë po punohet me 9 sportele në hyrje dhe 4 në dalje”, thonë përfaqësues të Policisë Kufitare në Kakavije.

Ndërkohë dhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për emigrantët që kthehen për festën e Pashkëve. Në bazë të një plani të detajuar, efektivat e Policisë së Rendit dhe ata të Qarkullimit Rrugor kanë rritur praninë e tyre përgjatë rrugëve kombëtare që përshkojnë Qarkun e Gjirokastrës në drejtim të doganave kufitare të Kakavijes dhe Tri Urave. B.SH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›