Balla dorëzon në Prokurori pamje dhe dëshmi për 21 janarin
Tiranë- Një muaj pas kallëzimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe dy vartësve të tij, Partia Socialiste depoziton në Prokurori prova të tjera, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Mesditën e djeshme, deputeti Taulant Balla është paraqitur në Prokurori, ku ka depozituar një sërë provash shkresore dhe filmike, që sipas tij tregojnë të vërtetën e 21 janarit. Balla ka qëndruar vetëm për disa minuta në Prokurori, ndërsa në dalje, deputeti socialist pohoi për mediat se: “Hetimi i prokurorisë do të zbardhë të vërtetat e 21 janarit dhe do të nxjerrë përgjegjësit për vrasjen e katër protestuesve”. Ai pohoi se për Partinë Socialiste është shumë e rëndësishme zbardhja e përgjegjësive dhe vënia para drejtësisë e fajtorëve për vrasjen e katër protestuesve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Burime të rezervuara të Prokurorisë thanë se provat e depozituara dje nga deputeti Balla janë kryesisht pamje filmike të bëra më 21 janar nga të pranishëm në demonstratë, të cilat fillimisht do të verifikohen nga hetuesit e çështjes. Në bazë të vlerës së tyre, do të bëhet edhe përzgjedhja e pamjeve filmike që mund të përdoren për llogari të hetimit, edhe pse ngjarjet e asaj dite janë transmetuar “live” thuajse nga të gjitha televizionet. Burime pranë Partisë Socialiste thanë se provat e depozituara dje në Prokurori janë kryesisht pamje filmike dhe dëshmi të demonstruesve, të cilët kanë parë nga afër mënyrën se si ka vepruar Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit në menaxhimin e situatës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se vonesa në dorëzimin e këtyre pamjeve ka ardhur për shkak të kohës që i është dashur ekipit të Partisë Socialiste për mbledhjen e këtyre provave. Grupi i caktuar për hetimin paralel të ngjarjeve të 21 janarit, gjatë kësaj kohe ka marrë kontakte me një numër të madh personash që ndodheshin në demonstratë ditën e ngjarjes, duke marrë edhe filmimet amatore që ata kanë kryer. Të gjitha filmimet, të cilat kryesisht janë xhiruar me celularë janë përmbledhur në disa CD, të cilat u vunë dje në dispozicion të Prokurorisë. Mësohet se në këto CD janë edhe filmime të kryera nga njerëz të Partisë Socialiste, të cilët ishin caktuar për monitorimin e demonstratës së 21 janarit. Lidhur me provat shkresore, mësohet se ato janë kryesisht dëshmi të të pranishmëve në demonstratë, por edhe ata që mbetën të plagosur me armë zjarri. Në provat e mbledhura nga Partia Socialiste janë përfshirë edhe dëshmitë e personave që pretendojnë se janë keqtrajtuar pas përfundimit të demonstratës, si dhe atyre që janë shoqëruar në ambientet e policisë, të cilët pretendojnë se janë dhunuar. Për të dyja këto çështje, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur një hetim, rezultatet e të cilit pritet t’i vihen në dispozicion Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton paralelisht edhe mënyrën se si u organizua demonstrata e 21 janarit. Prania e deputetit Taulant Balla në Prokurori ditën e djeshme, vjen një muaj pasi 27 deputetë të Partisë Socialiste depozituan një kallëzim ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe kreut të Policisë së kryeqytetit, Saimir Muçaj për ngjarjet e 21 Janarit.