E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Do të zhvendos stacionin e Trenit, dy nënkalime për Laprakën

Tiranë- Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha prezantoi dje projektin e tij për zhvendosjen e Stacionit të Trenit dhe ndërtimin aty të stacionit interurban të automjeteve. Në takimin me banorë të njësisë bashkiake numër 11 në Laprakë, ku prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj njësie, Haki Mustafa, Basha premtoi edhe zhvendosjen e hekurudhës, që kalon përmes një prej lagjeve më të diskriminuara të Tiranës, si dhe ndërtimin e të paktën dy nënkalimeve, për të lidhur dy zonat e banimit përgjatë segmentit rrugor, nga “Zogu i Zi” deri te Dogana. “Zgjatimi i bulevardit nga stacioni i Trenit te Bregu i Lumit do të shoqërohet me zhvendosjen e stacionit të Trenit dhe ndërtimin e stacionit interurban të kryeqytetit tonë. Bashkë me stacionin e trenit, ne do zhvendosim edhe atë pjesë të hekurudhës, e cila kalon këtu në njësinë tuaj vendore, në një nga lagjet më të diskriminuara që merr jetën e banorëve në mënyrë të vazhdueshme’, - ka deklaruar Basha. Në fjalën e tij, kandidati demokrat është shprehur se infrastruktura rrugore që Bashkia ndërtoi në Laprakë e izoloi këtë zonë nga pjesa tjetër e Tiranës. Ai tha se do të ndërtojë dy nënkalime në këtë zonë. “Ju jap fjalën se investimin e gabuar, që ndau Laprakën nga pjesa tjetër e qytetit dhe për të cilën me dhjetëra e dhjetëra qytetarë të lagjes tuaj paguan me jetën e tyre, ne do ta zhbëjmë duke ndërtuar të paktën dy nënkalime, që do të lidhin këto dy pjesë të Tiranës. Për të përmirësuar këtë cilësi jete, dhe për të hapur vende të reja pune, nën përvojën, përkushtimin, e vendosmërinë e rrugës së Kombit, unë ju premtoj sot se brenda gjashtë muajve të mi të parë si kryebashkiak i ardhshëm do të nis punimet për Unazën e madhe të Tiranës”, - u shpreh Lulzim Basha, para banorëve të njësisë vendore 11 në Tiranë. Basha dje ka takuar dhe banorë të zonës së Bregut të Lumit, ku ka premtuar sistemimin përfundimtar të problemit të ujërave të zeza. “Kolektorët nuk do derdhen më në lumë, do përpunohen ashtu siç përpunohen kudo në botë. Ky është parakusht që lumi i Tiranës të kthehet në një çlodhje dhe në një vend ku njerëzit të kenë dëshirë të vijnë. Të jeni të sigurt, që diskriminim për shpërndarje të investimeve nuk do të ketë më”, - tha Basha. Kandidati demokrat theksoi se banorët e zonës së Bregut të Lumit paguajnë taksat e gjelbërimit dhe të shërbimeve të pastrimit, por këto shërbime mungojnë në këtë zonë. Basha premtoi uljen e këtyre taksave. “Çdo shtëpi tek Bregu i Lumit nuk do të jetë më një dëshmi diskriminimi, por do të jetë një pasuri. Për këtë ju jap fjalën dhe në të kundërt, pas katër vitesh do më bëni përgjegjës. Taksat e bashkisë për qytetarët janë të larta. Taksat do t’i ulim për të gjithë qytetarët. Por në veçanti për qytetarët në nevojë, siç janë me qindra, siç janë me mijëra këtu në qytet, taksat e bashkisë do të aplikohen në nivelet minimale dhe përveç kësaj ju do të keni ndihmë sociale nga bashkia, ashtu siç duhet të ketë çdo qytetar në nevojë”, - shtoi më tej Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›