Breshëri armësh në lokal plagosen dy klientë
FUSHË-KRUJË- Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri dhe një tjetër nga xhamat e lokalit në Fushë Krujë, teksa një i ri ka qëlluar me breshëri automatike në lokalin ku i riu që është plagosur në këmbë ka qenë me një grup të rinjsh në lokal. Sipas pronares së lokalit, Manushaqe Gjoka, një i ri ka qëlluar me breshëri automatike, në lokalin e saj, në kohën që lokali ka qenë i mbushur me klientë. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur me armë zjarri Shaqir Duka dhe një person tjetër, i cili është plagosur nga xhamat e lokalit, të cilët janë dërguar në spitalin ushtarak. Ndërsa plumbat kanë përshkruar tavanin e lokalit dhe dysheme, djali ndodhej tek dera e lokalit. Autori që ka qëlluar mbi lokal ka mundur të largohej nga vendi i ngjarjes pa asnjë problem edhe pse është identifikuar nga të pranishmit në lokal dhe i është bërë prezent forcave të policisë. Sipas pronares së lokalit, policia është njoftuar edhe para se të ndodhte ngjarja, pasi i riu që ka qëlluar mbi lokal ka ardhur para se të qëllonte i armatosur me automatik në lokal e Gjokës. Sipas saj, është njoftuar fillimisht 129, shërbimi i policisë se një person i armatosur me automatik kishte ardhur në lokal dhe policët nuk e morën seriozisht këtë denoncim. “Ndërsa kam marrë në telefon një nga titullarët e policisë në rajonin e policisë në Fushë-Krujë, ku edhe e kam bisedën të incizuar dhe i kam kërkuar të ndërhynte për të larguar autorin nga lokali. Pasi ka ardhur, ka kontaktuar me të më ka premtuar se nuk do të ketë asnjë problem. Sapo është larguar titullari i policisë, i riu ka dalë nga një derë që ndodhet afër lokalit tim dhe nga rruga ka qëlluar me breshëri automatike e më pas është larguar”, ka deklaruar pronarja e lokalit. Sipas pronares së lokalit, mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konkurrencës, pasi ajo së bashku me një fqinjin e saj, ishin të vetmet që kishin lokal që e mbanin gjatë gjithë natës hapur. Lokali ndodhet në lagjen ‘Arameras’, në dalje të tregut të Fushë-Krujës, jo larg qendrës së Fushë-Krujës.