E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët rrihen dhe grabiten në mes të ditës, kapen autorët

Dy banorë nga Elbasani, Ajdin Trëndafili dhe Sokol Ramazani, emigrantë në shtetin fqinj Greqi, janë bërë preh e një grabitjeje me dhunë, në orët e mesditës të së dielës. Tre persona tashmë të arrestuar iu janë vërsulur dhe iu kanë rrëmbyer të gjitha gjërat që kishin me vete, madje duke ushtruar dhunë mbi ta. Grabitja dhe dhunimi ka ndodhur në mes të ditës, ndërsa arratia e grabitësve ka zgjatur vetëm pak orë.

Ngjarja është regjistruar në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Çermës”, pranë vendit ku stacionohen automjete të ndryshme, furgona dhe autobusë, që presin të marrin udhëtarë për në zonën e Elbasanit. Atyre iu janë marrë rreth 50 mijë lekë të reja, si dhe një aparat celular e bizhuteri që iu ndodheshin atë çast me vete. Shtetasit kanë qenë duke pritur të udhëtonin në drejtim të Elbasanit, pasi kishin zbritur nga një automjet autobus. Autorët, pasi kanë arritur të grabisin këtë shumë të hollash, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Të dëmtuarit kanë lajmëruar menjëherë policinë për këtë grabitje. Pas denoncimit të bërë dhe përshkrimit të autorëve të mundshëm, si dhe një pune të mirëorganizuar nga strukturat e hetimit dhe Parandalimit të krimit në komisariatin Lushnjë, policia arrestoi vëllezërit Pëllumb dhe Adriatik Meta, përkatësisht 34 dhe 31 vjeç, banues në fshatin Çermë e Sipërme të rrethit Lushnje, si dhe Shaban Sinani, 41 vjeç, banues në fshatin Bishçukas të rrethit Lushnje. Sipas një njoftimi të policisë, tre të arrestuarit dyshohen të jenë autorë të kësaj grabitjeje. Arrestimi i këtyre shtetasve u krye për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 139 e 25 të Kodit Penal, Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve, do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë. Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Grabitja e kazinosë

Një kazino, e cila ndodhet në lagjen “Loni Dhamo”, në qendër të qytetit Lushnjë, është bërë preh e grabitësve. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë. Dy persona të armatosur dhe të maskuar, ende të paidentifikuar nga policia, janë dhe autorët e kësaj grabitjeje. Rreth orës 04:30 të mëngjesit, që është dhe orari i mbylljes së veprimtarisë së punës për orarin e natës në këtë kazino, personat e paidentifikuar, janë futur në brendësi të ambienteve të saj. Sipas punonjësit të shërbimit të kazinosë, ata kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Punonjësi është kërcënuar me armët e zjarrit që ata mbanin në duar, ndërsa i është kërkuar që me shpejtësi të dorëzonte të hollat që ishin gjendje pas punës. Përballë situatës së krijuar, ai ka dorëzuar rreth 20 mijë lekë. Pasi janë bindur se kjo ka qenë shuma e gjendjes së lekëve, personat e maskuar janë larguar me shpejtësi. Pasi është lajmëruar për këtë vjedhje, policia e rendit dhe grupi i ekspertëve ka mbërritur në vendngjarje. Në një njoftim të shpërndarë për shtyp, Drejtoria e Policisë Fier, referuar ngjarjes ka shpjeguar se blutë janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien nën pranga të autorëve të kësaj grabitjeje. Burime prej bluve të Lushnjës thanë se nuk ka pasur lëndime ndaj punonjësit të kazinosë. Kjo është hera e dytë që kjo kazino bëhet preh e vjedhjes, nën kërcënimin e armëve. Hera e parë daton më 21 nëntor të vitit të kaluar. Edhe atëherë, persona të armatosur u vodhën një sasi të konsiderueshme të hollash që kapte shumën e rreth 7 milionë lekëve. Policia nuk ka arritur ende të identifikoj autorët, si të vjedhjes së parë, ashtu dhe të vjedhjes që ndodhin në ditën e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›