Kapet grupi, vidhte tregtarët e floririt
Durrës- Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, si pjesë e një rrjeti hajdutësh që vepronte në qytetin e Durrësit dhe Tiranës. Grupi me të rinj nga qyteti i Tiranës kishte shumë kohë që piketonte persona të ndryshëm në tregun industrial, të cilët merreshin me tregtimin e bizhuterive prej floriri. Burime të Policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se dy, nga katër pjesëtarët e këtij rrjeti, janë kapur në flagrancë në momentin që filluan të vinin në zbatim planin për vjedhjen e tregtarit, ndërsa dy të tjerë janë tashmë në kërkim. Personat e arrestuar janë Ermal Sallaku 22 vjeç dhe Florjand Hida 23, që të dy banorë të qytetit të Tiranës. Bashkë me ta, në vjedhjen e një tregtari nga Durrësi kanë qenë edhe shtetasit Kujtim Çeliku 32 vjeç dhe Elton Ruçi 31 vjeç, nga Tirana. Personat e mësipërm kishin studiuar për disa ditë me radhë lëvizjet e një tregtari nga Durrësi, i cili ka dyqan në tregun industrial, ku shet bizhuteri prej floriri. Sipas dëshmive që kanë dhënë në polici dy personat e arrestuar, katër të rinjtë kanë studiuar për një kohë të gjatë oraret e punës së tregtarit durrsak me iniciale M.B 46 vjeç, kohën kur ai hapte dyqanin, kur lëvizte përkohësisht nga dyqani dhe kohën kur ai e mbyllte atë. Pasi e kanë kryer këtë proces, katër të rinjtë kanë ndërhyrë rreth orës 14:15 të ditës së diel, duke arritur që të marrin me forcë një çantë me bizhuteri nga bagazhi i automjetit të tregtarit me targa DR 9195 C. Gjatë kësaj kohe, tregtari duke u ndihmuar nga një qytetar i rastësishëm dhe një punonjës policie që është ndodhur aty, kanë kapur një nga katër personat. Pasi është njoftuar policia, uniformat blu kanë hyrë në veprim dhe shumë shpejt kanë arrestuar personin e dytë. Dy të arrestuarit kanë treguar bashkëpunëtorët dhe më pas policia ka gjetur edhe çantën e vjedhur, në të cilën kishte 176 unaza prej floriri me vlerë prej 3 milionë lekë të reja. A.K.