Sherri në familje, plagos me thikë vjehrrin 78-vjeçar
Tiranë- Një 40-vjeçare ka plagosur vjehrrin e saj, pas konflikteve për çështje familjare. Ngjarja ndodhi mbrëmë, rreth orës 22.00, në zonën periferike të Shkozës, në Tiranë, viktimë e së cilës mbeti 78-vjeçari Vasfi Kreka. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se plagosja ndodhi në shtëpinë e familjes Kreka, pas një sherri mes nuses së shtëpisë dhe vjehrrit të saj. Hetimet e para në vendngjarje zbuluan se prej kohësh në këtë familje kishte konflikte, të cilat mbrëmë kanë tejkaluar çdo cak. “Pas zënkave me fjalë, Rajmonda Kreka ka marrë një thikë dhe ka goditur me të vjehrrin 78-vjeçar. Ky i fundit është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”, - i tha MAPO-s një burim i policisë në vendngjarje. Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në shtëpinë e familjes Kreka, ku edhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të këtij krimi. Në orët e vona të mbrëmjes, Rajmonda Kreka është ndaluar në polici, me akuzën e plagosjes me dashje, ndërkohë që edhe familjarët e tjerë janë shoqëruar për të sqaruar rrethanat e krimit. Punonjësit e policisë janë në pritje të dëshmisë së 78-vjeçarit, e cila konsiderohet si kryesorja për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, por nga hetimet e deritanishme rezulton se plagosja ka pasur si motiv konfliktet për shkak të të jetuarit në të njëjtën çati. Familjarët Kreka kanë qëndruar në ambientet e Komisariatit nr.1 deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku kanë sqaruar edhe detaje të ngjarjes së rëndë. Krimi në familje është kthyer në problem kryesor për policinë e Tiranës. Përtej masave të marra, drejtuesit e policisë kanë kërkuar më shumë përpjekje për të ndaluar këtë lloj krimi.