Emigrantët shqiptarë në Greqi nisin aplikimet për nënshtetësinë
ATHINË - Në Greqi kanë filluar aplikimet për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve, ku shumica e të cilëve janë shqiptarë. Ndërkohë që kanë filluar edhe regjistrimet në listat zgjedhore, ku emigrantët pritet të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin lokal këtë vjeshtë, madje dhe të kandidojnë për t’u zgjedhur. “Për mënyrën se si funksionojnë strukturat shtetërore në Greqi, fakti i zbatimit shumë shpejt të ligjit për pjesëmarrjen politike të emigrantëve, që hyri në fuqi para një muaji, përbën një befasi të këndshme”, - thotë BBC-ja. Ligji parashikon procedura të thjeshtësuara për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, apo që kanë kryer 6 vjet mësime në sistemin arsimor grek.
Zyrtarët
Sekretari i Shtetit për Politikën e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, Andreas Takis, thotë se ka një numër të konsiderueshëm, shumica e të cilëve shqiptarë, që po shkojnë të bëjnë aplikimin për nënshtetësinë, apo ndodhen në fazën e plotësimit të dokumentacionit. “Kanë filluar të aplikojnë jo vetëm fëmijë që kanë lindur këtu, por edhe brezi i parë i fëmijëve që erdhën në Greqi me prindërit, tani janë të moshës 25-28 vjeç dhe i përmbushin kushtet për marrjen e nënshtetësisë. Por kryesisht janë ata që i afrohen moshës së pjekurisë (18 vjeç) apo e kanë arritur atë dhe që objektivisht kanë ankthin më të madh për të ardhmen e tyre”, - thotë sekretari i Politikës së Emigracionit. Ai shprehet optimist se procedura do të avancojë pa probleme. Gjithashtu shton se është bërë gjithë parapërgatitja e nevojshme njerëzore dhe logjistike, si dhe është rënë dakord me ministritë e tjera që implikohen në këtë proces, për të përshpejtuar dhënien e dokumentacionit të nevojshëm.
Një tjetër risi që shkaktoi diskutime të shumta dhe debate të ashpra parlamentare është ajo që u mundëson emigrantëve pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale ku ata jo vetëm do të votojnë, por kanë të drejtë edhe të kandidojnë për anëtarë të këshillave komunalë. Në të vërtetë, këtë të drejtë emigrantët nuk e kanë masivisht, por vetëm ata që janë pajisur me leje afatgjata dhe që përllogariten në rreth 260 mijë veta. Gjysma e tyre janë emigrantë me origjinë greke, por shtetësi të një vendi tjetër, homogjenë, siç quhen në Greqi. Gjithsesi, ky ishte një vendim shumë i rëndësishëm politik i qeverisë “Papandreu”, por edhe përmbushje e një angazhimi paraelektoral që kryeministri i sotëm e kishte shpallur në prag të zgjedhjeve të tetorit të kaluar që e sollën në pushtet. Për sekretarin e Politikës së Emigracionit, Andreas Takis, sanksionimi i të drejtës së votës ishte një ndërhyrje e rëndësishme. “Ky vendim, me gjithë reagimet që ishin të pritshme, është një akt ligjor që e nderon Kushtetutën dhe sanksionimin për të drejtën e pjesëmarrjes politike që sanksionohet në të. Tashmë kjo pjesëmarrje nuk përcaktohet mbi bazën e nocioneve abstrakte të gjakut, të dheut apo ku ta di unë, por përcaktohet me realitetin e jetesës së përbashkët dhe interesave të përbashkëta midis vendasve dhe emigrantëve, të shtrira në kohë. Në këtë sens, besoj se është një ndërhyrje totale, e cila jo thjesht fillon, por përfundon një cikël. Përfundon moshën e trazuar adoleshente të shtetit grek dhe e vendos atë në një periudhë të re, ku demokracia, pjesëmarrja politike e gjithë komponentëve të jetës shoqërore, është themeli i bashkëjetesës tonë, i vendimeve tona të përbashkëta”, - thotë sekretari për Politikën e Emigracionit, i cili për një kohë të gjatë ka punuar si ndihmës i Avokatit të Popullit dhe është marrë kryesisht me problemet e emigrantëve.
Sipas zyrtarit të lartë grek, dhënia e të drejtës së votës emigrantëve do të thotë që ata tash e tutje të kenë zë dhe prezencë.
Votimet
“Mendoj se emigrantët që fitojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje, për herë të parë do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta. Dhe do të jenë një auditor i cili jo vetëm dëgjon autoritetet lokale, por edhe i vlerëson, i gjykon dhe ndikon me votën e tij në zgjedhjen e tyre”. Ministria e Brendshme ka filluar një fushatë sensibilizimi për t’i nxitur emigrantët që të shkojnë të regjistrohen në listat zgjedhore pranë bashkive të vendbanimit, madje, ministri i Brendshëm nënshkroi një vendim që e zgjat afatin e regjistrimit edhe dy muaj të tjerë, deri më 31 gusht. Ndërkaq, BBC-ja ka komunikuar me emigrantë shqiptarë në zona të ndryshme të Greqisë, të cilët thonë se do të kandidojnë me formacione të ndryshme politike për anëtarë të këshillave komunalë në zgjedhjet që do të zhvillohen më 14 nëntor. Në bashki si Athina, apo në disa ishuj, emigrantët shqiptarë përbëjnë një komunitet numerikisht të konsiderueshëm. “Dhe, nëse ligji i kufizon ata që të kandidojnë për kryetarë bashkie, me siguri duke votuar aty do të luajnë rol përcaktues në zgjedhjen e autoriteteve lokale”, - citon BBC-ja.
Miratimi i shtetësisë së fëmijëve të emigrantëve
Në draftin e miratuar në parim hapet rruga e marrjes së nënshtetësisë për një kategori emigrantësh dhe fëmijët e tyre, të cilët plotësojnë disa kritere. “Të gjithë fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi dhe kanë kryer deri në gjashtë vjet mësimet në sistemin arsimor vendas, kanë të drejtë të bëhen shtetas grekë”, - thuhet në paketën ligjore. I vetmi kusht është që njëri nga dy prindërit të ketë pasur qëndrim të ligjshëm në Greqi për pesë vjet rresht. Kjo do të thotë që tash e tutje, fëmijët e emigrantëve mund ta marrin nënshtetësinë që në lindje, ndërsa pjesa më e madhe ka të drejtë të aplikojë sapo të mbushë moshën 18 vjeç. Dhënia e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve dhe pjesëmarrja e prindërve të tyre në zgjedhjet për pushtetin lokal ishte një angazhim parazgjedhor i socialistëve, të cilët erdhën në pushtet më 4 tetor. Paketa ligjore parashikon edhe ndryshime në Kodin e Nënshtetësisë, ku tashmë do të përcaktohet se të drejtën për të aplikuar për nënshtetësi greke e ka çdo emigrant që mbush pesë vjet qëndrim të ligjshëm në Greqi.
E drejta e votës për emigrantët dhe zgjedhja e tyre në këshilla lokalë
Pjesë e platformës së maxhorancës aktuale të Greqisë është edhe pjesëmarrja e emigrantëve në zgjedhjet për pushtetin lokal, ku ata do të kenë të drejtën jo vetëm të votojnë, por edhe të zgjidhen në këshillat komunalë. Por, të drejtën e pjesëmarrjes do ta kenë vetëm emigrantët e pajisur me leje afatgjata, ose, sipas vlerësimit, rreth 1/3 e numrit të përgjithshëm të emigrantëve të ligjshëm me moshë madhore. (Më poshtë janë të plota pikat e amendamentit të qeverisë së Papandreut për dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtën për t’u zgjedhur për të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në Greqi). Parlamenti grek ende nuk ka nisur shqyrtimin për çështjen e dhënies së të drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur në proceset zgjedhore vendore në vendin fqinj. Paketa e ndryshimeve ligjore që propozoi qeveria “Papandreu” hasi në kundërshtimin e Partisë Demokracia e Re. Sipas saj, Partia koalicioni qeverisës nuk ka strategji në çështjen e emigracionit. “PASOK-u, me mendësitë e tij të përcipta, ngatërron integrimin social të emigrantëve me dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtave politike”, - thuhet në reagimin e kësaj partie. Partia tjetër e djathtë, LAOS, e akuzon qeverinë se po tjetërson elektoratin dhe kërkon që të shtrohet në referendum mbarëpopullor çështja e dhënies së nënshtetësisë dhe të drejtave politike emigrantëve. Nga forcat e majta, Partia Komuniste vlerëson se qeveria zbaton taktikën e karotës për një kategori të kufizuar emigrantësh, ndërsa mban kamxhikun për shumicën e tyre. Koalicioni i së majtës i cilëson si hapa të nevojshëm masat e shpallura nga qeveria, por kritikon ndërlidhjen e tyre me zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme në Greqi, partitë politike paraqitën projekte me diferenca të konsiderueshme për emigrantët. Mes tyre kishte subjekte që kërkonin largimin e tyre nga Greqia.
Vendimi pas miratimit të ligjit
Lejet e qëndrimit afatgjata, Greqia ul tarifat me 300 euro
ATHINË – Ministria e Brendshme ka vendosur një ulje prej 300 eurosh për emigrantët që aplikojnë për leje qëndrimi afatgjata. Nga 900 euro që ka qenë fillimisht, pas datës 24 mars 2010 të gjithë emigrantët do të paguajnë vetëm 600 euro, edhe pse kjo gjë është e pamundur në shumë raste, pasi një pjesë e madhe e shqiptarëve në këtë kohë krize në Greqi janë të papunë. Sipas nenit 30 të Ligjit Nr. 3838 të vitit 2010, ndryshojnë dispozitat e paragrafëve 2 dhe 6 të nenit 92, të Ligjit Nr. 3386 të vitit 2005, të cilat i referohen uljes së taksave të kërkuara për marrjen e lejes afatgjatë të emigrantëve. Në mënyrë të veçantë, më 24 mars 2010, data e publikimit të ligjit ndryshon shumë e taksës së kërkuar për marrjen e lejes së qëndrimit afatgjatë. Kjo tarifë reduktohet nga nëntëqind euro në gjashtëqind të tilla. Kërkesat për të fituar leje afatgjatë nga emigrantët janë paraqitur pas publikimit të ligjit. Kjo kërkesë duhet të bëhet sipas dispozitave të Dekretit Nr. 150 të vitit 2007, ose në përputhje me dispozitat e nenit 40 të Ligjit Nr. 3731 të vitit 2008. Pikërisht për të marrë lejen e qëndrimit afatgjatë do të paguhet vetëm tarifa prej 600 eurosh. Duhet pasur parasysh se këto tarifa nuk kompensojnë rinovimet e ardhshme. Nëse kërkesat është bërë pas publikimit të ligjit dhe emigrantët kanë paguar 900 euro, atyre duhet t’u kthehet menjëherë shuma që është paguar tepër, pra duhet t’u kthehen 300 euro. Gjithashtu, zyrat e regjistrimit duhet t’i informojnë të gjithë emigrantët se duhet të paguajnë tani vetëm 600 euro. Në këtë mënyrë, të gjithë emigrantët që rinovojnë dokumentet për leje qëndrimi afatgjatë do të paguajnë 600 euro. Kjo reformë e re e shtetit helen është pritur mirë nga emigrantët, shumica prej të cilëve janë shqiptarë.
16 Qershor 2010