E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria “qeth” buxhetin e vendorëve, në korrik 50 milionë USD më pak



Ervin KOÇI

Fondet e investimeve për bashkitë dhe komunat do të “krasiten” rëndë në gjysmën e vitit 2010. Qeveria është e detyruar t’i shkurtojë investimet publike të parashikuara për këtë vit në nivelin më të ulët që nga viti 2006. Burime nga Ministria e Financave thanë për gazetën “Albania” se, “në javën e parë të korrikut do të paraqitet në kuvend, drafti i rishikuar i buxhetit të shtetit, i cili i ul shpenzimet buxhetore në total me 30.3 miliardë lekë, si pasojë e ecurisë së dobët në mbledhjen e të ardhurave”. Pjesa dërrmuese e shkurtimeve do të vijë nga investimet publike, kryesisht projekte të infrastrukturës, të cilat sipas MF-së kanë pak gjasa të realizohen. Me shkurtimin tashmë gati të zyrtarizuar, investimet publike bien në nivelin 67.4 miliardë lekë ose 25.5 për qind më pak se sa ato të vitit të kaluar. Në vlerë investimet publike këtë vit pritet të jenë më të ulëta se sa ishin 3 vjet më parë, situatë që në Shqipëri ka ndodhur vetëm njëherë më parë, saktësisht në vitin 2006, ku investimet publike në vlerë kanë qenë më të ulëta se sa ato të 2004. Por edhe pse po ul investimet, qeveria do të mbajë të paprekura shpenzimet sociale, që kanë të bëjnë kryesisht me pensionet dhe sigurimet shëndetësore, të etiketuara nga Banka Botërore si një nga arsyet kryesore për rritjen e borxhit publik.

Shkurtimet
Rishikimi i buxhetit si efekt i mungesës së të ardhurave në buxhet do të prekë edhe bashkitë e komunat. MF-ja po punon aktualisht për projekt-draftin e buxhetit të ri 2010, sipas të cilit, njësitë e pushtetit vendor do të kenë në dispozicion rreth 50 milionë dollarë më pak nga sa ishte paraqitur në buxhetin e fillim-vitit. Në këtë mënyrë, pushteti vendor, përveç problemeve me mbledhjen e të ardhurave dhe mosmarrëveshjeve për miratimin e buxhetit nga këshillat, duhet të përballojë edhe shkurtimet e shpenzimeve që rekomandohen nga institucionet qendrore. Plani është bërë publik këto ditë dhe pritet të kalojë në tryezën e Kryeministrit në fund të muajit qershor, në mënyrë që të hyjë në fuqi në korrik, ose të nisë zbatimin në 6-mujorin e dytë 2010.

Shpenzimet
MF-ja ka bindur Kryeministrin për shkurtimet e buxhetit në korrik si efekt i krizës, por jo mosrritjen e pagave dhe pensioneve. Nisur nga kushtet aktuale të financave, Kryeministri ka pranuar hapur se çdo institucioni do t’i reduktohet buxheti me të paktën 20 për qind, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ndokujt t’i preket fondi më shumë se parashikimi. Sa u takon bashkive dhe komunave, propozimi i MF-së është për një reduktim të buxhetit me të paktën 50 milionë dollarë, ku njësitë më të mëdha vendore do të jenë më të prekurat. Deri tani MF-ja konfirmon shifrën totale të reduktimit të buxhetit në tërësi, që është rreth 300 milionë dollarë, ku 250 milionë u takojnë investimeve dhe nga 50 milionë u takojnë shpenzimeve korrente dhe pushtetit lokal.

Buxheti i vendorëve
Rreth 38 miliardë lekë është fondi i planifikuar në fillim të vitit për bashkitë dhe komunat, pa harruar grantet konkurruese, të cilat përfitohen gjatë vitit përmes projekteve. Në rast se i qëndrojmë deklaratës së Kryeministrit për shkurtim fondesh me 20 për qind për çdo institucion, përfshi atë qendror, vendor apo të pavarur, i bie që të paktën bashkive dhe komunave t’u hiqen nga fondi rreth 70 milionë dollarë. Gjithsesi, plani paraprak tregon për shkurtime më të vogla. Nga të dhënat e paraqitura nga MF-ja rezulton se shpenzimet e pushtetit lokal zënë 7.5 për qind të shpenzimeve buxhetore në total. “Për periudhën janar-prill 2010 ato kanë arritur në rreth 7.9 miliardë lekë nga rreth 8.9 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë të vitit 2010, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 987 milionë lekë, ose rreth 11.1 për qind me pak se plani i periudhës”,- deklaron MF-ja. Kundrejt planit vjetor, këto shpenzime kanë arritur në rreth 20.8 për qind të tij. Krahasuar me një vit më parë, këto shpenzime rezultojnë rreth 215 milionë lekë më pak, ose rreth 2.6 për qind më pak.

Taksat e bashkive, 4-mujori shënon rënie të të ardhurave

Të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor për periudhën janar–prill 2010 arritën në 5 miliardë lekë nga 8.5 miliardë lekë të planifikuara, duke pasur një realizim të planit të periudhës prej 59.4 për qind. Kundrejt 4-mujorit të parë të vitit 2009, të ardhurat nga pushteti vendor janë ulur me 187 milionë lekë, ose rreth 3.6 për qind. Sipas shifrave zyrtare, nga taksat vendore mbi biznesin e vogël janë mbledhur rreth 1.3 miliardë lekë, nga 1.9 miliardë lekë të planifikuara dhe 137 milionë lekë më pak se 4-mujori i vitit 2009. Nga taksat mbi pasurinë, ku hyjnë taksa mbi ndërtesat dhe taksa mbi tokën bujqësore, janë mbledhur këtë periudhë 906 milionë lekë, nga 2.4 miliardë të parashikuara dhe 198 milionë më shumë se një vit më parë. Kurse te taksat e tjera lokale janë mbledhur rreth 2.8 miliardë lekë, nga 4.2 të parashikuara, dhe 8 për qind më pak se vitin e kaluar.

16 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›