E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët shqiptarë në vendet e BE-së, ja çfarë përfitojnë

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Produktet bujqësore dhe të peshkimit, ende për t u negociuar me BE-në për të hyrë në tregun e përbashkët

Sot hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit dhe kjo sipas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, është plotësisht e vërtetë.
Përfitimet
Përfitimet dhe detyrimet që ka Shqipëria nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, Bregu i komentoi duke thënë se “Së shpejti Ministria e Integrimit do të nxjerrë një broshurë me përfitimet konkrete të shqiptarëve në këtë proces, sepse prekin grupet më të lakuara dhe më të mëdha të popullsisë, lëvizja e lirë e punonjësve dhe ajo e mallrave. Kjo nuk është një marrëdhënie ekonomike, sepse marrëdhëniet me BE-në dhe MSA-ja një nga kriteret kryesore është pikërisht kriteri ekonomik, ndërkohë që shtyllat e tjera janë kritere politike dhe standardet evropiane. Ajo që ka rëndësi është që përfitimet direkte të jenë lehtësisht të realizueshme, sepse këto përfitime për qytetarët shqiptar, sikurse është lëvizja e lirë e punonjësve, bëhen të zbatueshëm në vendin anëtarë. Në raste diskriminimi, shkeljeje të atyre të drejtave që iu lindin qytetarëve shqiptar, të cilët sot mund të jenë në statusin e emigrantit, apo të një lejeje qëndrimi të rregullt në një nga vendet e BE-së, sigurisht që kanë të gjithë të drejtën duke shpresuar edhe vendimin e drejtë të gjykatave në rast se do të ketë diskriminime”, - tha Bregu.

Megjithëse hyn në fuqi më 1 prill, MSA-ja do të jetë baza e re kontraktuale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Që nga ky moment, marrëveshja e ndërmjetme që aplikonte aspektin tregtar të MSA-së, pushon së funksionuari dhe detyrimet e saj ushtrohen nga MSA-ja. Që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes së ndërmjetme, që i njihte Shqipërisë disa avantazhe në shkëmbimet tregtare me BE-në, eksportet shqiptare, sipas ministres, janë rritur me 11.8%. Mirëpo në të njëjtën kohë, janë rritur edhe importet me 18.8%. Deficiti në bilancin tregtar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, tashmë është thelluar. Më pak eksporte do të thotë më pak valutë që futet në Shqipëri. Po ashtu, kjo tregon se biznesi shqiptar nuk është i përgatitur të përballojë konkurrencën e tregut të përbashkët evropian. Kjo është arsyeja që MSA-ja që hyn në fuqi sot, parashikon një reduktim tarifor gradual deri në janar 2011 dhe një zonë të shkëmbimit të lirë ku mallrat do të lëviznin lirisht, deri më 2019. Ministrja Bregu pranon se aftësimi i biznesit për të qenë konkurrues është sfida e së ardhmes. Hyrja në fuqi e MSA-së ka një përfitim direkt për emigrantët që janë jashtë: Kështu, bashkëshortja apo fëmijët e një emigranti të rregullt shqiptar në Greqi, Itali apo kudo në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, mund të kërkojë një vend pune njësoj i barabartë me një grek, italian, gjerman, francez, etj. Në lidhje me aplikimin për statusin e vendit kandidat, ministrja pohoi edhe njëherë se kjo tashmë është çështje ditësh. Bregu ndër të tjerat nënvizoi: “Detyrimet e Marrëveshjes së Përkohshme do të jenë tashmë pjesë përbërëse e MSA-së. Marrëveshja e Përkohshme ishte shprehje e përpjekjeve të Shqipërisë për të përmbushur standardet ekonomike dhe për t u bërë anëtare me të drejta të plota në Komunitetin Evropian duke u përpjekur në përmbushjen e kriterit të dytë të Kopenhagenit. Zbatimi i Marrëveshjes së Përkohshme është kryer në drejtim të lehtësimit të tregtise dhe respektimit të preferencave dhënë operatorëve prodhues e tregtarë në import dhe eksport, ashtu edhe në drejtim të zbatimit të ligjit, parandalimit të shkeljeve të legjislacionit doganor dhe dispozitave të Marrëveshjes së Përkohshme. Gjithashtu, është zbatuar në kohë reduktimi gradual i tarifave në përputhje me Marrëveshjen e Përkohshme dhe janë rritur të ardhurat doganore, pavarësisht uljes mesatare të tarifave doganore. Zbatimi i dispozitave të Marrëveshjes së Përkohshme ka impakt në lëvizjen e lirë të mallrave; me hyrjen në fuqi të MP, është vendosur gradualisht një zonë e tregtisë së lirë, e cila do të përfundojë brenda një periudhe maksimumi dhjetëvjeçare duke nisur nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, si dhe reduktimi tarifor gradual deri ne janar 2011. Zbatimi i Marrëveshjes së Interimit, ka dhënë efektet e saj në shkëmbimin e mallrave bujqësore të vendit tonë me vendet e Bashkimit Evropian. Si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshjeje gjatë vitit 2007-2008 shkëmbimi i mallrave bujqësore ka njohur një intensitet të lartë, dhe me rritje të kënaqshme”, - përfundoi ministrja e Integrimit.
Shkëmbimet tregtare
Për sa u përket shkëmbimeve tregtare, dhe se cila do të jetë klima tashmë me hyrjen në fuqi të MSA-së për mallrat shqiptare që do të eksportohen në drejtim të vendeve anëtare, ministrja e Integrimit u shpreh: “Duke pasur parasysh që mallrat shqiptare kohë më parë kanë pasur një derë të mbyllur në BE, dhe në përgjithësi Shqipëria për sa i përket vendosjes të një marrëveshjeje kontraktuale të besueshme, ishim një vend që nuk rrezatonim besueshmëri. Pavarësisht se BE-ja ka qenë donatori kryesor, që me vendosjen e marrëdhënieve me të, drejtuar Shqipërisë ka pasur gjithmonë një ndjesi skepticizmi për sa i përket ecjes përpara të marrëdhënies në faza më të mëdha. Aftësia dhe konkurrueshmëria e mallrave shqiptare për të përballuar tregun dhe konkurrencën në tregun e përbashkët evropian është një nga sfidat e këtij procesi. Është një sfidë ku marrëveshja e përkohshme, ky minitraktat, është një lloj procesi që bëhet për të parë se sa zbatueshmëria e MSA-së do të jetë e kënaqshme. Ka një arsye për të thënë që ndihemi të kënaqur, ka shumë arsye për të thënë se ndryshimet të volumit të përgjithshëm tregtar, të shkëmbimeve jo vetëm në mallra bujqësor por në total me vendet e BE-së, kanë njohur një rritje, eksportet kanë njohur një rritje. Sot një nga negociatat më të vështira, jo vetëm për Shqipërinë, e cila është ende në fazën e statusit të vendit kandidat për në BE, por dhe vende të cilat janë në mbyllje të kapitullit të Asocimit me BE-në, kapitujt më të vështirë për të negociuar janë; ai i bujqësisë dhe ai i peshkimit. Siguria ushqimore është një nga çështjet më të ndjeshme me BE-në. Shqipëria ka përmbushur detyrimet kryesore të kërkuara nga marrëveshja e ndërmjetme, ka një kuadër ligjor për t u lavdëruar për sa i përket sigurisë së ushqimit dhe do të vazhdohet për zbatimin rigoroz dhe për t i bërë ballë kësaj konkurrence. Nuk është një problem vetëm i Shqipërisë, por një problem madhor negocimi për një vend, i cili kërkon të bëhet vend anëtar i Tregut të Përbashkët Evropian”.
Aplikimi për në BE
Ndërsa në përgjigje të interesimit se përse Shqipëria nuk po aplikon menjëherë pas hyrjes në fuqi të MSA-së për statusin e kandidatit në BE, Bregu tha: “Për sa i përket kërkesës për të aplikuar, ju siguroj që sot, që, për Shqipërinë, momenti më i rëndësishëm tani më është zbatimi rigoroz, i suksesshëm dhe dhënia e një rezultati pozitiv të MSA-së. Ky do të jetë vlerësimi më i mirë dhe përqendrimi i gjithë forcave tona. Aplikimi për anëtarësim është vetëm një datë në këtë proces të gjatë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, sigurisht që është një moment i rëndësishëm, sepse për ne nuk ka ngjizje artificiale në këtë moment. Kemi realizuar detyrimet në mënyrë të kënaqshme dhe ky do të jetë vetëm hapi tjetër, i cili s ka asgjë të re për të thënë, por do të realizohet shumë shpejt”,- përfundoi shefja e dikasterit të Integrimit.

Tregtia sipas vendeve të BE-së
Brenda grupit të BE-së, në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë vazhdojnë të kryesojnë Italia me 44% në import dhe 77.6% në eksport, në vend të dytë Greqia, 24% në import dhe me 11% në eksport, Gjermania me 10% në import dhe 3.4% në eksport. Peshë të rëndësishme zënë edhe Spanja, Hungaria, Qiproja, Austria etj.
Vlen të përmendet edhe tregtia me vendet e CEFTA-s që në vitin 08 ka njohur një rritje të lartë shkëmbimesh tregtare të mallrave, ku volumi është rritur me 46%, duke arritur në vlerën 419 mln/€.

Ratifikimet nga parlamentet evropiane

- Në 26 tetor 2006: Ratifikimi nga Letonia.
- Në 12 shkurt 2007: Ratifikimi nga Sllovenia.
- Në 15 shkurt 2007: Ratifikimi nga Sllovakia.
- Në 15 mars 2007: Ratifikimi nga Polonia.
- Në 21 mars 2007: Ratifikimi nga Suedia.
- Në 23 prill 2007: Ratifikimi nga Hungaria.
- Në 12 maj 2007: Ratifikimi nga Spanja.
- Në 17 maj 2007: Ratifikimi nga Lituania.
- Në 31 maj 2007: Ratifikimi nga Irlanda.
- Në 4 korrik 2007: Ratifikimi nga Luksemburgu.
- Në 16 tetor 2007: Ratifikimi nga Britania e Madhe.
- Në 16 tetor 2007: Ratifikimi nga Italia.
- Në 18 tetor 2007: Ratifikimi nga Estonia.
- Në 26 nëntor 2007: Ratifikimi nga Holanda.
- Në 29 nëntor 2007: Ratifikimi nga Finlanda.
- Në 21 prill 2008: Ratifikimi nga Malta.
- Në 24 prill 2008: Ratifikimi nga Danimarka.
- Në 6 maj 2008: Ratifikimi nga Çekia.
- Në 21 maj 2008: Ratifikimi nga Austria.
- Në 31 maj 2008: Ratifikimi nga Qiproja.
- Në 25 qershor 2008: Ratifikimi nga Belgjika.
- Në 11 korrik 2008: Ratifikimi nga Portugalia.
- Në 7 nëntor 2008: Ratifikimi nga Gjermania.
- Në 4 dhjetor 2008: Ratifikimi nga Franca.
- Në 14 janar 2009: Ratifikimi nga Greqia.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›