E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Rasumsen: Danimarka mbështet Shqipërinë në procesin integrues

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nisi vizitën zyrtare në Danimarkë. Gjatë kësaj vizite, Topi është takuar me kryetarin e Parlamentit danez, Thor Pedersen, i cili i shprehu Kreut të Shtetit shqiptar mbështetjen për demokracinë e re, integrimin e plotë si dhe standardet integruese të Shqipërisë. Pedersen ofroi përvojën parlamentare të Danimarkës për vendin tonë. Gjatë këtij takimi, Pedersen e Topi folën edhe për situatën në rajon dhe në veçanti për Kosovën. Po dje, Topi ka zhvilluar një takim me Kryeministrin danez, Anders Fogh Rasmusen. Në bisedën e zhvilluar mes tyre, Topi vlerësoi ndihmën dhe kontributin e deritanishëm që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë për ndërtimin e demokracisë dhe mbështetjen, që vazhdon të japë për integrimin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Në vijim të takimit, Presidenti i Republikës bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve në vend ku nënvizoi rëndësinë e reformës kushtetuese, reformës zgjedhore, asaj në drejtësi, por edhe në ekonomi, si faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Presidenti u ndal dhe në disa prej aspekteve për zhvillimin e biznesit, si dhe mundësive konkrete që vendi ynë ofron për investitorët e huaj që të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Ai u shpreh i bindur në mbështetjen e Danimarkës për liberalizimin e vizave, duke vlerësuar se “lëvizja e lirë përbën domosdoshmëri thelbësore për shqiptarët, qoftë si element i afërsisë eurointegruese dhe njohjes reciproke me familjen evropiane, qoftë si lehtësi ndaj barrierave të ndryshme, me qëllimin zhvillimin ekonomik të vendit”. Nga ana e tij, kryeministri Rasmusen shprehu urimet më të mira për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. “Aleanca ndihet më e plotësuar e më e sigurt dhe është e lumtur pas shtimit të radhëve të saj me dy anëtarë të rinj si Shqipëria dhe Kroacia”, - tha ai. Presidenti Topi në këtë takim shoqërohet nga një delegacion i përbëre nga deputetë, Avokati i Popullit, nënkryetari i KLD-së, përfaqësues të Shoqatës Mbarëkombëtare të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë.
Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›