Emigrantët shqiptarë rrihen barbarisht, në Kretë
Dy emigrantë shqiptarë janë rrahur barbarisht në qytetin e Kretës. Shqiptarët, emrat e të cilëve për momentin nuk bëhen publike, janë dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e këtij qyteti, si pasojë e rrahjes prej pesë shtetasve grekë.
Njëri prej tyre ka dëmtime tepër të rënda dhe është mbajtur në spital, ndërsa tjetri është në gjendje pak më të mirë dhe ka kërkuar të kurohet në shtëpinë e tij.
Dy shqiptarët po hipnin në makinën e tyre, kur janë sulmuar pa shkak nga grupi i grekëve, që u bërtisnin të largohen. Pas kësaj, agresorët i kanë qëlluar shqiptarët barbarisht me shkopinj e mjete të forta.
Arsyeja e sulmit ka në sfond ksneofobinë, pasi personat e konfrontuar nuk njiheshin mes tyre. Policia ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen, por deri tani nuk ka asnjë të dyshuar. Situata e rendit kohët e fundit ka qenë tepër problematike në qytetet kryesore të Greqisë.
Gjendja paraqitet më e rëndë në kryeqendrën e shtetit grek, Athinë, ku si pasojë e kriminalitetit të lartë është rritur ndjeshëm pasiguria mes qytetarëve. Lidhur me këtë, ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit ka vënë në alarm të kuq të gjitha forcat policore në kryeqytet dhe ka kërkuar përforcime edhe prej qyteteve periferike, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të ruajnë qetësinë e të mos arrijnë në vetëgjyqësi, por të njoftojnë policinë për çdo rast.