E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët "tkurrin" euron, rikthehet dollari i fortë

Euro e gjen veten në kuotat më të ulëta të dy muajve të fundit dhe shkak për këtë mendohet të jetë prezenca e lartë e emigrantëve që kthehen për pushime në vendin e tyre. Edhe pse nuk ka shifra për nivelin e hyrjes së valutës euro në tregun tonë, tendenca dhe historiku vërteton se luhatjet janë nga prania e madhe e emigrantëve, të cilët shpenzojnë për të afërmit apo dërgimin e të hollave për dhurata. Një tjetër tendencë e papritur është kuotimi i monedhës amerikane dollar. Sipas tregut të kursit të këmbimit, dje 1 dollar është shitur për mbi 95 lekë (shumë pranë 96 lekëve), niveli më i lartë i tetë muajve të fundit.

Ndërkaq, në tregjet valutore, duke filluar nga fundi i muajit qershor, euro është forcuar në lidhje me dollarin amerikan, prirje që është theksuar më shumë gjatë muajit shtator. Supozimet e agjentëve të tregut, në një pjesë të konfirmuara nga dobësia e disa prej sektorëve të ekonomisë amerikane, kanë ndikuar në dobësimin e dollarit amerikan. Euro gjithashtu është vlerësuar në lidhje me sterlinën angleze dhe ndaj grupit të monedhave të tjera europiane. Në nivel tremujor, euro është vlerësuar mesatarisht me 4.93 për qind ndaj dollarit amerikan, ndërkohë që në fillim të muajit tetor 2009, 1 euro vlerësohej me 1.46 dollarë.

Remitancat

Edhe pse me prezencë të lartë në vendin e tyre, dërgesat e emigrantëve gjatë tremujorit të tretë kanë shënuar një rënie të theksuar, duke rënë me rreth 28.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. E përkthyer në vlera, llogariten rreth 200 milionë euro më pak dërgesa në krahasim me vitin 2008. Një vit më parë, u regjistrua një rënie e dërgesave me rreth 13 për qind, rënie kjo që ishte paralajmëruar nga ekonomistët. Një pjesë e të ardhurave të emigrantëve shkon për shpenzime konsumi nga të afërmit familjarë, kurse një pjesë e vogël për zhvillim biznesi të vogël. Ditët e fundit janë vërejtur flukse të mëdha emigrantësh, kryesisht në pikat kufitare të Jugut, Kapshticë dhe Kakavijë, por edhe në Portin e Durrësit. Mendohet se në ditët e fundit, me rastin e festave kanë hyrë në vendin tonë rreth 100 mijë emigrantë.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›