Nafta i afrohet 80 dollarë/fuçia
Çmimi i karburanteve vazhdon të mos ndalet në tregjet e huaja. Nga të dhënat e bursave vihet re si nafta po tkurret me mbi 77 dollarë për fuçi dhe ka tendencë për rritje të mëtejshme për t‘iu afruar nivelit 80 dollarë. Rritja më e madhe po regjistrohet në bursat amerikane. Konkretisht, në bursën e Nju Jorkut, nafta në dy ditët e fundit është shitur për 77,02 dollarë për fuçi, kurse në bursën e Londrës me 75,63 dollarë, me një rritje prej 16 cent. Nëse vazhdohet kështu, reflektimi i rritjes do të ndihet edhe në tregun vendas, i cili të tilla raste i shfrytëzon më së miri. Rritjen më të madhe e pati dy muaj më parë duke kapërcyer 80 dollarë, por u rikthye në nivelet 74-75 dollarë, ndërsa tani po shikohen ndryshime. Ekspertët nuk japin shpjegime të qarta përveçse faktit të gjenerimit të ekonomisë.
Tregu vendas i naftës ka përcjellë te konsumatorët dhe tek aktiviteti i bizneseve, lëvizjet e çmimit të këtij produkti në tregjet ndërkombëtare, por në një shkallë luhatshmërie më të ulët. Pas arritjes së pikës më të ulët të çmimit mesatar të një litri naftë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, është vënë re një prirje rritëse e këtij të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit, çmimi mesatar i naftës për litër në tregun me pakicë ishte 114.4 lekë, vlerë kjo afërsisht 7 për qind më e lartë se vlera mesatare e tremujorit paraardhës. Ndihmuar nga forcimi i monedhës vendase me rreth 5 për qind në terma tremujorë ndaj dollarit amerikan, kjo normë rritjeje mbetet ndjeshëm më e ulët krahasuar me atë të evidentuar në tregjet e huaja. Megjithëse çmimi i këtij produkti paraqet një prirje në rritje, baza e lartë krahasuese e vitit të kaluar bën që ritmet vjetore të jenë ende në vlera negative.
Analiza
Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti është regjistruar një përmirësim i kushteve në tregun ndërkombëtar të naftës. Sipas analizës së bërë nga BSH-ja, kombinimi i ecurisë pozitive të kërkesës dhe të ofertës botërore për naftë, si dhe pozita e dobët e dollarit amerikan në tregjet ndërkombëtare të këmbimit valutor kanë ndihmuar në rimëkëmbjen e tregut. Çmimi mesatar i naftës për fuçi gjatë tremujorit të tretë të vitit, ndonëse më i ulët se ai i së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ka shënuar një rritje prej rreth 16 për qind në terma tremujorë. Ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik në vendet në zhvillim, dalja nga kriza ekonomike e vendeve kryesore të zhvilluara, si dhe rimëkëmbja e industrisë përpunuese në botë kanë paraprirë dhe nxitur rritjen e kërkesës botërore për naftë. Kjo e fundit megjithëse mbetet sërish nën nivelin mesatar të vitit 2008, gjatë tremujorit të tretë të vitit u rrit me 1.6 për qind në terma tremujorë. Përballë këtyre kushteve të favorshme ekonomike, vendet prodhuese dhe eksportuese të naftës kanë rritur sasinë e prodhuar gjatë tremujorit të dytë të vitit. Oferta botërore për naftë u rrit me 0.7 për qind në terma tremujorë, ku kontributin kryesor e dhanë vendet anëtare të OPEC-ut, Rusia dhe disa nga ish-republikat sovjetike.
A.Kola