Tafaj: Rimbursim për transportin dhe librat
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, në kuadër të realizimit të objektivit "Braktisja Zero në arsimin 9-vjeçar", zhvilloi një takim me përfaqësues të drejtorive arsimore rajonale. "Ky objektiv është përcaktues, pasi ne synojmë arsim cilësor brenda të gjitha niveleve të shkollimit. Dhe këtë nuk mund ta arrijmë pa realizuar një pjesëmarrje dhe akses për të gjithë nxënësit në mbarë vendin. Statistikat tregojnë progres në rritje dhe uljen e braktisjes së nxënësve deri në 0.8-0.9% e vlerësuar nga organizmat e MASH", sqaroi ministri Tafaj. Sipas tij, bashkëpunimi me pushtetin vendor do jetë i plotë i thellë dhe i gjithanshëm në realizimin e këtij objektivi. Ministri ka gati një plan veprimi konkret për të realizuar në kohë dhe sipas fazave përbërëse këtë plan konkret masash. Për stimulimin e mësuesve të zonave të thella ku braktisja është dhe më e lartë do të ketë masa "speciale".
Planveprimi i realizimit të objektivit "Braktisja Zero në shkollat 9-vjeçare" do të mbështesë nxënësit në largësi të theksuar nga shkolla, me mjete transporti për të qenë frekuentues në mjediset e shkollës. Këta nxënës do të mbështeten edhe me rimbursimin e teksteve shkollore, deri në masën 100% për fëmijët që vijnë nga familje në nevojë dhe vështirësi ekonomike.
Lo.Mi