Bllokohet furgoni me gra e fëmijë klandestinë
• SARANDE - Një furgon me gra e fëmijë që do të udhëtonin drejt Greqisë u bllokua mbrëmjen e së mërkurës nga forcat e Policisë Kufitare të Sarandës.Sipas shefit të Komisariatit të Policisë Kufitare, Ilir Gjoçi, mjeti u bllokua në aksin rrugor Mursi-Shkallë, ndërsa lëvizte drejt Konispolit. Menjëherë i është bërë thirrje drejtuesit të saj që të ndalojë, por ky i fundit ka shtuar shpejtësinë dhe është larguar për në drejtim të vijës kufitare. Policia ka vazhduar më tej ndjekjen, ku rrugës ka zbuluar 4 gra dhe 6 fëmijë, të cilët ishin braktisur nga drejtuesi i mjetit, ndërsa më vonë ka gjetur të braktisur mjetin tip mikrobus me targë BR 67 94 A. Menjëherë janë shoqëruar klandestinët në polici, ndërsa kontrollet çuan në arrestimin e shoferit, Ndriçim Ballabani, 40 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në fshatin Xarrë të Sarandës. Sipas policisë, klandestinët ishin kryesisht nga Fieri dhe po shkonin te burrat e baballarët që ndodheshin në Greqi. Ata kanë pranuar gjithashtu se për shërbimin që do të kryente Ballabani i kishin paguar shoferit shuma të konsiderueshme në euro. sh.d