E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigranti vret gruan dhe veten

Autori i Lajmit: red.
Një çift shqiptar është gjetur i vdekur në banesën e tij në lokalitetin amerikan Janesville dhe policia paraprakisht dyshon për një vrasje të ndjekur nga një vetëflijim. Leitnant Tim Hiers, shef i policisë së Janesville, citohet nga bashkëpunëtori i agjencisë së lajmeve NOA në Uashington, se viktimat janë Rexhem Menxhiçi, 54 vjeç dhe bashkëshortja e tij Shukrije Menxhiçi, 38-vjeçare, që të dy me kombësi dhe shtetësi shqiptare, emigrantë nga Shqipëria me qëndrim të rregullt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas mediave të SHBA-së mësohet se familja jetonte në “North Uashington Street” dhe dy bashkëshortët u gjetën mëngjesin e së dielës në orën 09.05, të pajetë. Policia tha se mori nën kujdes paraprak fëmijët e çiftit të vdekur, të cilët ishin gjendur në shtëpi gjatë minutave të ngjarjes fatale. Katër prej fëmijëve, nga 9 deri 18 vjeç, gjendeshin në banesë kur ndodhi tragjedia, kurse djali i madh, 20-vjeçar, nuk gjendej në shtëpi. Mësohet se vajza e madhe e familjes Menxhiçi, 18-vjeçare, madje kishte bërë përpjekje të shmangte tragjedinë që pikasi se po ndodhte në dhomën e prindërve të saj. Adoleshentja thirri numrin 911 për të kërkuar ndihmën e policisë. “Nga hetimi dhe dëshmitë e mbledhura arritëm në përfundimin se Rexhepi ka ekzekutuar gruan e tij dhe pak çaste më vonë ka bërë vetëflijim”, - deklaroi lejtnant Tim Hiers. Fqinjët kishin deklaruar se familja Menxhiçi me dy prindërit dhe pesë fëmijët, kishte vite që jetonte pranë tyre dhe shiheshin si një familje e lumtur dhe plot harmoni. Fqinjët u shprehën të habitur për këtë ngjarje.

Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›