E Diel, 1 Nëntor 2026

Merret peng 19-vjeçari, shpallen në kërkim autorët

Autori i Lajmit: red.
Rrëmbehet 19-vjeçari, cili është mbajtur peng, duke iu nënshtruar dhunës së egër psikologjike dhe fizike, nga katër djem, në një lagje të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 9 të qytetit bregdetar, dy ditë më parë. Burime nga policia lokale bënë të ditur se, sipas denoncimit të djalit 19-vjeçar G.C., me banim në lagjen nr. 2 të qytetit bregdetar, katër djem e kanë marrë atë nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe e kanë futur në shtëpinë e njërit prej tyre, ku është abuzuar duke u dhunuar fizikisht.
Të njëjtat burime pohojnë se autorët e dyshuar të pengmarrjes, janë Konti Mano, 20 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 9 Durrës, Juljan Dafa, 24 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 11 Durrës, të cilët u arrestuan nga policia e Durrësit, si dhe Kosta Mano, 24 vjeç, lindur e banues në lagjen Nr. 9 Durres, dhe Eno Naçi, 20 vjeç, banues në lagjen nr. 7 Durrës, të cilët u shpallën persona në kërkim, pasi policia nuk arriti t i arrestojë. “Nga hetimet ne arritëm të zbardhim se, pas një konflikti për motive të dobëta, Kosta Mano, 20 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 9 Durrës dhe Eno Naçi, gjithashtu 20-vjeçar, me banim në lagjen nr. 7 të qytetit bregdetar, nën kërcënimin e pistoletave e kanë futur të riun G.C., në banesën e Kosta Manos dhe më pas e kanë qëlluar me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit për një orë rresht”, - bëjnë të ditur burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës. Pasi djaloshi është përballur me këtë dhunë, një orë më vonë, është nxjerrë nga shtëpia e Kosta Manos dhe e kanë braktisur pranë banesës së tij, në lagjen nr 2 të qytetit bregdetar. “Pas marrjes dijeni për rastin në fjalë është shkuar në vendin e ngjarjes në të cilin janë gjetur Konti Mano dhe Juljan Dafa, të cilët dyshohet se kanë fshehur provat materiale të veprës penale”, - pohuan burimet.
Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›