E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset 22-vjeçari, vëllai i një prokurori

Autori i Lajmit: red.
Xhelozia për një femër për pak ka shkaktuar një tragjedi, dy net më parë në Tiranë. Një djalë 22-vjeçar, i cili është vëllai i një prokurori të Tiranës dhe një oficeri të Antidrogës, ka mbetur i plagosur rëndë, pasi u masakrua me sende të forta në mjediset e një kompleksi argëtues, në dalje të kryeqytetit. Burime nga Policia e Tiranës, bënë të ditur dje se ngjarja ka ndodhur në një lokal në Lundër të Tiranës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Sokol Rreshka, 22 vjeç, me banim në Tiranë, kishte shkuar për të kaluar mbrëmjen në këtë lokal, kur përpara i ka dalë ish-e dashura e tij M.Ll., e cila ishte në shoqërinë e Taulant Spahiut, 22 vjeç, Olsi Memës, 22 vjeç dhe Dervin Lohut, 21-vjeçar. Pasi Spahiu ka mësuar se e dashura e tij, kishte pasur një lidhje të hershme me Sokol Rreshkën, e ka qëlluar këtë të fundit me një shishe të thyer duke e plagosur rëndë. Policia, e cila ka shkuar në vendngjarje, ka mundur të vërë në pranga të dyshuarin Taulant Spahiu, nën akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Ndërsa dje u vunë në pranga edhe dy të dyshuarit e tjerë, Olsi Mema dhe Dervin Lohu. Këta të fundit, akuzohen për veprat penale të “moskallëzimit të krimit” dhe “përkrahjes së autorit të krimit kryer në bashkëpunim”. Sipas burimeve policore, i dëmtuari është vëllai i një prokurori të Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka, dhe një oficeri të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›