E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrimi sezonal në Itali, 3988 kuota për shqiptarët



Rreth 4 mijë shqiptarë do të kenë mundësinë të kapërcejnë Adriatikun për t`u punësuar gjatë sezonit të verës në Itali. Qeveria “Berlusconi” ka vendosur në dispozicion të emigrantëve sezonalë shqiptarë 3988 kuota, bëri dje të ditur Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

“Pavarësisht se kërkesat për këtë kategori punëtorësh nisën që më 15 prill 2009, kur ishte edhe data ligjore e hyrjes në fuqi të dekretit në fjalë, 80 mijë kuotat e përgjithshme të vëna në dispozicion nga qeveria italiane ende nuk janë plotësuar”, – informoi dje Ministria e Punës me anë të një njoftimi për shtyp. Vetëm tri javë nga kjo datë, punëdhënësit paraqitën pak më shumë se 44 mijë kërkesa për punësim, qoftë individualisht, qoftë edhe përmes shoqatave të tyre.

Në këtë mënyrë, për Shqipërinë janë rezervuar rreth 4 mijë kuota, ndërsa për Kosovën vetëm 88 të tilla. “Në klasifikimin e posaçëm, sipas shtetësive, kryeson nënkontinenti indian, me më shumë se 10 mijë kërkesa për punëtorë bangladeshas dhe indianë; më pas vijon Maroku (thuajse 7 mijë kërkesa), Shqipëria (4 mijë) dhe Moldavia (3 mijë). Provincat që kanë regjistruar numrin më të madh të kërkesave janë Latina (6 mijë), Raguza (6mijë) dhe Krotone (2mijë)”, – bëri të ditur Ministria e Punës. Sakaq, vendet e mbetura bosh për emigrantë stinorë janë për barmenë, kamerierë, punëtorë në bujqësi etj.

Sipas ministrisë, si të gjitha kërkesat e deritanishme, edhe kërkesat për punëtorë stinorë kanë në themel kërkesën e një punëdhënësi, që e zgjedh me emër shtetasin e huaj, duke e njohur personalisht apo me rekomandime të të njohurve, të afërmve etj.

“Siç del edhe nga përmbajtja e dekretit, kuotat për punësim stinor nuk ndahen në bazë shtetësie. Sidoqoftë, ky lloj punësimi, pavarësisht se në bazë ka kërkesën e punëdhënësit, nuk do të mundësohej për shtetasit shqiptarë nëse Republika e Shqipërisë nuk do të kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Republikën Italiane në fushën e migrimit, në dhjetor 2008”, – bën të ditur ministria.

Aplikimi do të mund të kryhet vetëm nga punëdhënësit italianë, në zyrat përkatëse. Ata do të duhet të plotësojnë formularët e gjendur në adresën e Ministrisë së Brendshme, www.interno.it. “Duke nisur nga ora 8:00 e datës 11 prill mund të hartohen kërkesat për të thirrur në Itali dhe për të punësuar 80 mijë punëtorë stinorë, shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së. Kërkesat mund të dërgohen vetëm nga punëdhënësit, përmes internetit, duke u nisur nga ora 8:00 e 15 prillit 2009”, – bën të ditur ministria.

Vendet prej nga do të kryhet emigrimi janë të ndara në dy kategori, ku Shqipëria ndodhet në kategorinë e dytë, që janë vendet më të favorizuara. Kjo kategori parashikon punonjës sezonalë jo shtetas të BE-së, nga vende që kanë nënshkruar ose janë gati të nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit për emigracionin, përkatësisht: Tunizia, Shqipëria, Maroku, Moldavia dhe Egjipti.

Kuotat për çdo shtet

Shtete Kërkesa të paraqitura

Bangladeshi 10.253

India 10.043

Maroku 6.819

Shqipëria 3.988

Moldavia 2.911

Pakistani 1.921

Tunizia 1.890

Sri Lanka 1.818

Egjipti 974

Maqedonia 937

Ukraina 715

Serbia 593

Bosnja dhe Hercegovina 210

Kroacia 152

Kina 95

Kosova 88

Afganistani 81

Senegali 75

Bjellorusia 41

Algjeria 32

Barbados 30

Peruja 30

Rusia 26

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›