E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN, rritja ekonomike në 2009, Shqipëria e para në Evropë



Shqipëria do të vijojë të njohë rritje ekonomike, pavarësisht krizës ekonomike që ka gjunjëzuar pjesën më të madhe të ekonomive botërore. Konfirmimi vjen nga institucioni më prestigjioz në analizat ekonomiko-financiare, Fondi Monetar Ndërkombëtar, projeksionet më të fundit të të cilit e rendisin Shqipërinë në krye të kontinentit, për sa i takon rritjes ekonomike gjatë këtij viti. Në fakt, ekonomitë e vetme në Evropë që do të njohin rritje në 2009, sipas Fondit Monetar, janë Shqipëria dhe Qiproja. Parashikimi i FMN-së i adreson Shqipërisë një rritje ekonomike në nivelin 0,4 për qind, në një kohë kur pjesa tjetër e Evropës është e zhytur në recension të thellë, mjafton të përmendim që vende të tilla si Gjermania, Italia, Franca, Anglia, por edhe vendet e rajonit, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Kroacia. Nivelin më të lartë të rënies ekonomike do ta njohin Estonia, Letonia apo Lituania nga 10 deri 12 për qind. Për të arritur në këto parashikime, Fondi Monetar ka ndjekur nga afër ecurinë ekonomike gjatë muajve të parë të këtij viti. Megjithëse, rritja ekonomike për Shqipërinë është korrigjuar muajt e fundit, ajo rezulton të jetë më e larta në Evropë. Ekonomia reale në Shqipëri ka vijuar të njohë rritje progresive vitet e fundit, sipas FMN-së, në 2007 prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 6,3 për qind, ndërsa në 2008 me 6,8 për qind. Kjo rritje është mundësuar nga politikat pro-biznes të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë nxitur aktivitetin ekonomik në vend. Nisma më e fundit e ndërmarrë nga qeveria, e përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por e kundërshtuar nga opozita, ishte kredia prej 250 milionë eurosh e siguruar ditët e fundit nga bankat ndërkombëtare, çka krahas valutës së siguruar nga privatizimet, do t’i japin ekonomisë shqiptare likuiditetin e nevojshëm për të siguruar stabilitet dhe një ecuri pozitive gjatë këtij viti, ashtu siç ka parashikuar edhe FMN në raportin e saj më të fundit. Po kështu, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje progresive të ekonomisë shqiptare dhe për periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2014, ku niveli mendohet të shkojë në 6 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›