Studentët e bllokuar, sot kallëzim penal ndaj agjencisë
Studentët e tre universiteteve private, të bllokuar për tre ditë në portin e Triestes nga autoritetet doganore italiane, do të padisin sot në Prokurorinë e Tiranës agjencinë turistike “Mar West.Travel”. Përmes kallëzimit penal, ata kërkojnë dëmshpërblim për vuajtjet e shkaktuara për faj të agjencisë dhe problemeve që u nxori gjatë udhëtimit, duke futur në grupin e tyre edhe persona jo studentë, me qëllim kalimin klandestin drejt Francës, Belgjikës dhe Spanjës. Janë 160 studentë firmëtarë të kallëzimit penal, që pritet të depozitohet sot paradite në organin e akuzës së kryeqytetit. Studentët kërkojnë nga agjencia dëmshpërblim moral për katër ditët e bllokuara në Trieste, pas anulimit të vizave nga ambasada hungareze. Ndërkohë, grupi i studentëve është thirrur dje në Prokurorinë e Tiranës për t’u pyetur rreth ekskursionit që do kryenin, pajisjes me viza në ambasadë, kontakteve me agjencinë. Ka qenë zyra e Krimit Ekonomiko-Financiar që është marrë mesditën e djeshme me pyetjen e studentëve, të cilët para prokurorit dhe hetuesit kanë dhënë versionin e tyre. Prokuroria do të hetojë në këtë mënyrë nëse ka pasur raste të tjera të trafikut klandestin, duke u maskuar nëpërmjet udhëtimeve të studentëve që vijnë nga universitetet private. Megjithatë, nga ana e prokurorëve nuk ka asnjë të dhënë mbi veprimet që po kryhen ndaj subjekteve të identifikuara në këtë linjë, pasi paraprakisht do të përfundohet marrja në pyetje e 160 personave që siguruan viza në ambasadën hungareze, mes të cilëve kishte edhe klandestinë. Studentët u bllokuan për tri ditë në Trieste, pas njoftimit që kishin marrë autoritetet italiane se ambasada hungareze kishte anuluar vizat e dhëna. Sipas ambasadës, të dhënat e deklaruara për akomodimin në hotel ishin false, ndërkohë që rreth 20 persona ishin pajisur me vizë përmes dokumenteve të falsifikuara.
Masa
Sot pritet të dalin para gjykatës për caktimin e masës së arrestit administratorja e agjencisë turistike dhe studenti i universitetit UFO. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të “korrupsionit pasiv në sektorin privat”, “falsifikimit të dokumenteve më shumë se një herë”, “mashtrimit për qëllim fitimi”, “zbatimit të ligjit penal ndaj personave juridike”, të kryer në bashkëpunim. Policia e Shtetit arrestoi dy ditë më parë administratoren e agjencisë turistike, Iris Çekani dhe një student 22-vjeçar, Valter Marashi, pasi ata kanë mashtruar për destinacionin e udhëtimit nga Sllovenia në Spanjë, duke marrë në mënyrë të kundërligjshme 167 viza turistike në Ambasadën Hungareze në Tiranë. “Loja” e tyre u zbulua nga përfaqësia hungareze në Tiranë, e cila pezulloi vizat dhe la të bllokuar për 3 ditë 167 studentë afër portit të Triestes. Ndërkohë që ky udhëtim u shfrytëzua nga disa persona të tjerë, të cilët synonin që të kalonin në Itali në mënyrë ilegale. Ndërkohë, po hetohen në gjendje të lirë katër persona, të cilët synonin të emigronin në disa vende të BE-së me dokumente të falsifikuara. Ata synonin të shfrytëzonin udhëtimin turistik për t’u larguar jashtë territorit të vendit. Kështu, janë dorëzuar materialet në prokurori për shtetasit Marios Rizai, 23 vjeç, Taulant Bega, 22 vjeç, Nazmi Zeneli, 18 vjeç dhe Ada Qadhimi, 25 vjeçe. Sipas burimeve nga policia, procedimi penal në ngarkim të tyre filloi, pasi me dokumente të falsifikuara prej agjencisë “Mar-Est.Travel” janë pajisur me viza turistike, për të udhëtuar jashtë shtetit kundrejt pagesave në shuma të konsiderueshme.
Bllokimi
Grupi prej 167 studentësh të bllokuar në portin e Triestes është rikthyer të dielën në Shqipëri. Trageti qëndroi prej tri ditësh i bllokuar në brigjet italiane. Studentët ishin nisur për ekskursion në Slloveni, por për shkak të parregullsive me dokumentacionin, ata nuk u lejuan të vazhdonin udhëtimin turistik nga autoritetet italiane. Studentët shqiptarë u bllokuan që prej së enjtes në brigjet italiane, pasi ambasada hungareze ka pezulluar vizat e dhëna një ditë pas nisjes së tyre. Grupi prej 167 studentësh ka udhëtuar nga Durrësi drejt Italisë dhe ndodhej në tragetin “Venezia”. Ata do të shkonin në një ekskursion në Slloveni, duke kaluar nga Italia, Spanja dhe ndaj aplikuan për t’u pajisur me viza në ambasadën hungareze në Tiranë. Kërkesa e tyre është pranuar nga punonjësit e ambasadës dhe ata kanë prerë biletat e tragetit dhe janë nisur për në portin e Triestes. Por, kur ata kanë mbërritur dhe kanë dorëzuar dokumentet për të zbritur, punonjësit e doganës nuk i kanë lejuar, duke i cilësuar vizat e paraqitura si jo të rregullta. Shkak për këtë duket se ka qenë vendimi i përfaqësisë hungareze për të anuluar vizat e dhëna, pikërisht gjatë kohës që trageti ishte në lundrim drejt Triestes. Vizat ishin dhënë për një udhëtim turistik 7-ditor.
Detaj
160 studentët e bllokuar për tri ditë në portin e Triestes janë thirrur nga Prokuroria e Tiranës për t’u marrë në pyetje