Emiratet, financim rrugës Tiranë-Elbasan
Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta deklaroi se Emiratet e Bashkuara Arabe do të financojë në ndërtimin e rrugës me tunel Tiranë-Elbasan. Gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Estoni, Meta zhvilloi një takim një takim të veçantë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. “Dua gjithashtu të falënderoj Ministrin e Jashtëm të EBA për vendimin e marrë nga Qeveria e tij, si dhe nga Fondi i Abu Dabit, për të ndihmuar në hapjen e tunelit që do të lidhë Tiranën me Elbasanin, gjë që është shumë e rëndësishme dhe strategjike për ne”, tha Meta për mediat. Nga ana e tij, ministri i Emirateve të Bashkuara Arabe tha se në dy muajt në vijim do të vizitojë Tiranën. “Unë mendoj se ka shumë mundësi, sepse në vendin tuaj ka një bazë të fortë për të tërhequr investimet nga EBA”, tha ministri i EBA-s. Meta shprehu kënaqësinë e tij për hapjen së shpejti të Ambasadës shqiptare në Abu Dabi, ndërsa Sheikh Abdullah bin Zayed shprehu bindjen se edhe Emiratet e Bashkuara do të hapin Ambasadën e tyre së shpejti në Tiranë.