Maxhoranca nis shqyrtimin e raportit të Prokurorisë
Maxhoranca pritet të hartojë një raport të ashpër për Prokurorinë e Përgjithshme, në lidhje me punën e saj të vitit 2009. Raporti vjetor i organit të akuzës shqiptare do të shërbejë si një gur i fortë për të goditur këtë institucion. Prej disa ditësh, në Kuvend ka mbërritur raporti i kryeprokurores Ina Rama, i cili tashmë do të diskutohet dhe në komisionin parlamentar të Ligjeve në ditët ardhshme. Raporti, që mbahet akoma i fshehtë nga Kuvendi, po studiohet nga ana e deputetit të PD-së, Eduart Halimi. Do të jetë pikërisht Halimi, deputeti që do të bëjë edhe relacionin mbi punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë që arma e maxhorancës kundër Prokurorisë pritet të jenë edhe akuzat e lëshuara nga institucionet e pavarura si Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Komisioni i Shërbimit Civil për mos veprim.