E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca: Bankat të detyrohen të japin informacion për bonot



“Individët zotërojnë 7.26 për qind të portofolit të bonove, por kjo pjesë tregu do të ishte shumë më e lartë nëse Banka e Shqipërisë nuk do të mbyllte sportelin për investimin e drejtpërdrejtë nga individët në bono thesari.” Autoriteti i Konkurrencës, e shikon si një “monopol” të fshehur shitjen e bonove të thesarit. Shifrat e raportit të konkurrencës tregojnë se 30 për qind e bonove mbahen nga Raiffaisen dhe rreth 23 për qind nga Banka e Shqipërisë, por Autoriteti kërkon hapjen e konkurrencës edhe tek individët. Sipas shifrave, rreth 7.3 për qind e borxhit të Qeverisë mbahet nga individët me anë të blerjes së bonove. Duke qenë se bonot e thesarit njihen si investim me risk zero dhe kanë një interes më të lartë se ai i depozitave të ofruara nga bankat, konkurrenca kërkon që individët të jenë të informuar më shumë për këtë mundësi investimi. Në raportin e saj, ajo thekson se duhet të jetë pikërisht Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, që të rrisin informacionin për bonot dhe të bëjnë presion ndaj bankave të nivelit të dytë për të treguar këtë instrument financiar. “Nga vëzhgimet tona në banka të ndryshme që ofrojnë tregtimin e bonove të thesarit në tregun sekondar, vihet re një mungesë e transparencës në informimin e klientëve për sa i përket bonove të thesarit. Gjithashtu vlen për t’u theksuar mungesa e broshurave informuese në lidhje me bonot e thesarit, gjë që i mundëson klientëve njohjen më të mirë me këtë shërbim që ofrojnë bankat.”
Rekomandimet
Në fund të hetimit, autoriteti vendosi t’í propozojë Bankës së Shqipërisë të rikthejë depozitimin “cash” në sportelet e saj në Tiranë dhe në 5 rrethet kryesore, Ministria e Financave sipas autoritetit duhet të rrisë marketingun, për t’u bërë të qartë individëve këtë lloj investimi. “Banka e Shqipërisë me anë të një akti nënligjor (rregullore/urdhër me fuqi detyruese për bankat e nivelit të dytë) të rregullojë problemin e asimetrisë së informacionit, duke marrë masat si vijon: a) Bankat e nivelit të dytë në çdo degë apo agjenci të tyre duhet të japin të dhëna të plota, të sakta dhe të qarta për klientët për të gjitha produktet, kostot dhe interesat respektive që ofron (përfshirë dhe bonot e thesarit) duke sqaruar kryesisht përfitimet e klientëve dhe duke krahasuar mundësitë e investimit (depozita kundrejt bono thesari) b) Në faqet e internetit të bankave të nivelit të dytë, të shfaqen në kohë reale të dhënat e ankandeve të radhës të bonove të thesarit dhe tendencat e përditësuara të nivelit të bonove të thesarit c) Bankat e nivelit të dytë duhet të informojnë klientët me instrumentet e parashikuar (e-mail, telefon, faks) për ankandet e radhës të bonove të thesarit, shumat e kërkuara, afatet e depozitimit të parave për pjesëmarrje dhe të dhëna të tjera të kërkuara. d) Bankat e nivelit të dytë të kenë një seksion të veçantë për trajtimin e ankesave të klientëve, në mënyrë të veçantë për asimetrinë e informacionit nga ana e nëpunësve të bankës; ç) Klientët që janë keqinformuar të përfitojnë të drejtën e dëmshpërblimit në rast të fitimit të munguar për shkak të asimetrisë së informacionit dhe/ose keqorientimit nga nënpunësit e bankës, për pjesëmarrjen në tregun primar të bonove të thesarit.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›