E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria presion bankave për rritjen e kreditimit



Edhe pse indirekt, shifrat e fundit të ankandeve të bonove të thesarit, flasin qartë për një strategji presioni të Qeverisë ndaj bankave të nivelit të dytë. Në ankandin e fundit të bonove të thesarit, instrumenti i financimit të deficitit buxhetor, norma e interesit për bonot 12-mujore, ra në 8.35 për qind, nga 9.13 për qind që ishte një vit më parë. Qeveria, në ankand mori vetëm 80 për qind të parave që ofruan bankat e nivelit të dytë, duke kthyer mbrapsht paratë që bankat kërkuan t’i investonin në bono. Pra duket qartë se Qeveria nuk po përmbush kërkesën që kanë bankat për investime me risk zero, siç janë bonot. Por, kjo është vetëm pjesa e parë e strategjisë. Disa muaj më parë, Qeveria vendosi me Bankën e Shqipërisë, që bankat e nivelit të dytë të blinin vetëm 50 për qind të shumës së ofruar të bonove. Pjesën tjetër duhet ta blinin individët. Kjo në mënyrë për të “luftuar” parazitarizmin e bankave. Më parë kjo formulë ishte 80% me 20% në favor të bankave. Edhe kjo, sipas burimeve nga financat, ka dhënë efektin e vet, në rritjen e investimeve të individëve në bono thesari dhe në detyrimin e bankave për të gjetur mënyra të tjera për të financuar aktivitetet e tyre. Duhet sqaruar se investimi në bono është një lloj garancie për bankat, për të mos kryer aktivitete të tjera në shërbim të individëve. Kështu bankat pranojnë depozitat me një interes më të vogël se ai i bonove të thesarit, dhe nga ana tjetër këto para i investojnë në bono, duke përfituar kështu diferencën e interesit në favor të tyre. Sidoqoftë, kulmi i strategjisë për detyrimin e bankave drejt kredisë, është eurobondi. Sipas parashikimeve, Qeveria pritet të marrë rreth 400 milionë euro, për të financuar deficitin e saj buxhetor nga institucionet jashtë sistemit bankar shqiptar. Nga kjo shumë, rreth 200 milionë euro do të shkojnë për shlyerjen e kredisë sindikale të marrë një vit më parë, dhe pjesa tjetër rreth 200 milionë për financimin e deficit buxhetor. Në buxhetin e shtetit, për vitin 2010 parashikohet që deficiti të arrijë në 50 miliardë lekë. Nga kjo shumë, rreth 10 miliardë lekë janë financime me kredi të buta të huaja për zhvillim, që do të disbursohen gjatë vitit. Pjesa tjetër, prej rreth 40 miliardë lekësh, është parashikuar për t’u marrë borxh me bono thesari. Në rast të konkretizimit të eurobonit 400 milionë euro, buxheti i shtetit do të shkurtojë të paktën me 200 milionë euro, ose rreth 28 miliardë lekë shumën e borxhit që do merrte me bono nga bankat në vend. Në këtë mënyrë, tregu i bonove, ose i borxhit të brendshëm, do të ulej nga 40 miliardë lekë në 12 miliardë lekë. Kjo sigurisht, që është presioni më i madh ndaj bankave të nivelit të dytë për të gjetur mënyra të tjera, që do t’i garantonin fitimin dhe interesin e depozitave për klientët. Dhe mënyra më direkte që kanë bankat është rritja e kreditimit. Në fakt, bankat e kanë rritur kreditimin e ekonomisë gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti. Kohë kjo kur financat treguan hapur se do të financonin deficitin jo me huamarrje të brendshme, por me eurobondin 400 milionë euro. Megjithatë, duket se bankat janë të stepura, ose më saktë po shfrytëzojnë deri në maksimum kërkesën e ekonomisë për kredi. Shifrat tregojnë se vërtet kredia e re është rritur, por edhe normat e interesit të kredisë, edhe pse interesi i bonove është ulur, janë rritur ndjeshëm. Duket se bankat po i përgjigjen strategjisë së Qeverisë për rritjen e kredisë, por kërkesa e ekonomisë është aq madhe sa i lejon të përdorin sërish fitime ekstreme, këtë radhë me kreditë.

financimi i deficitit

Ishte

Deficiti për 2010
50 miliardë lekë
Financim i huaj
10 miliardë lekë
Huamarrje e brendshme
40 miliardë lekë

Bëhet

Deficiti për 2010
50 miliardë lekë
Financim i huaj
10 miliardë lekë
Huamarrje me eurobond
200 milionë euro, ose
28 miliardë lekë
Huamarrje e brendshme
12 miliardë lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›