Raporti i KE për vizat, Shqipëria e vonuar në miratimin e ligjeve
Në 44 faqet e vlerësimit të Komisionit Evropian për vizat ndaj Shqipërisë, vërehet se një pjesë e mirë e kuadrit ligjor është miratuar vetëm në 3 mujorin e parë të 2010-ës, megjithëse kriteret përcaktoheshin qartë që më 4 qershor 2008, kur u dorëzua udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Një nga ligjet që është miratuar me vonesë, sipas raportit të KE-së, ai për mbrojtjen ndaj diskriminimit, i votuar në shkurt të vitit 2010. Gjithashtu si vonesa përfshihen “plani i aksionit ndaj korrupsionit, u miratua në mars 2010. Ligji antimafia u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në janar 2010. Plani i ri i aksionit kundër drogës u miratua në mars 2010. Ligji i ri për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështje kriminale u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në shkurt 2010. Në fushën e azilit, rregullat për apel u qartësuan me udhëzim ministror në mes të shkurtit 2010”. Periudha e plotësimit të këtyre kritereve, dëshmon se prania e opozitës në Parlament nuk ka qenë e domosdoshme, duke nxjerrë pikëpyetje përse ky kuadër ligjor nuk u miratua menjëherë pas zgjedhjeve, apo madje dhe gjatë 12 muajve përpara tyre, që nga momenti i marrjes së udhërrëfyesit. E blinduar tashmë me ligje dhe strategji, sipas Komisionit, Shqipërisë i duhet ende të dëshmojë zbatimin efikas të një pjese të mirë të tyre. Nevojitet zbatim i strategjisë dhe planit të aksionit kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar.
Për luftën ndaj krimit të organizuar e terrorizmit, kërkohen më shumë përpjekje për rezultate konkrete dhe zbatim efikas të kuadrit ligjor. Për emigracionin, duhet monitorim dhe koordinim i mëtejshëm për Strategjinë Kombëtare. Duhet të garantohet dhe zbatohet e drejta e refugjatëve për të pasur dokumente identifikues. Sistemi MEMEX është operacional, por duhet të eksplorohet potenciali i plotë i tij. Niveli i besimit për çështjet e korrupsionit mbetet i ulët dhe gjykimi i rasteve mund të përshpejtohet. Së fundi, pati rritje në zbulimin e rasteve që përfshinin zyrtarë të lartë dhe vetëm në pak raste është lënë imuniteti i të gjykuarve për t’u hetuar ndaj akuzave për korrupsion. Shqipëria duhet të plotësojë dhe dy rekomandimet e bëra nga GRECO, struktura e Këshillit të Evropës për luftën ndaj korrupsionit. Në krahasim me të gjitha raportet e tjera paraardhëse, në vlerësimin e prillit ndihet gjithsesi tendenca e një formulimi pozitiv për Shqipërinë nga ana e Komisionit Evropian. Për shembull, ndër të tjera, trafiku i qenieve njerëzore cilësohej shqetësim i veçantë në raportin e dhjetorit 2009 për vizat, ndërsa ky formulim nuk figuron më në vlerësimin e fundit të prillit.